Stoltenberg: Rusia do të vazhdojë të sulmojë infrastrukturën kryesore të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë të sulmojë rrjetin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, atë të gazit dhe në infrastrukturat e tjera që konsiderohen si shtyllat e funksionimit të një shteti.

Duke folur para gazetarëve në Bukuresht të hënën para takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s, ai tha se “veprimet e tilla të presidentit Vladimir Putin në sezonin e dimrit, janë tentim që dimrin ta shfrytëzojë si armë në Ukrainë”.

Kujtojmë që në adresimin e së dielës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar bashkëkombësit që të përgatiten për një sërë sulmesh raketore në Ukrainë.

“E kemi kuptuar që terroristët po bëhen gati për sulme të reja. Këtë e dimë me siguri. Deri tani kanë rënë akoma raketa, për fat të keq nuk do të ndalen”, shtoi Zelensky.