Studimi: Për ata që janë shtruar në spital për shkak të Covid-it, rreziku i vdekjes brenda dy vitesh është 69 përqind më i lartë

Një studim i madh nga shkencëtarë tregon se të rriturit që kanë qenë të shtruar në spital për shkak të COVID-19 dhe kanë mbijetuar, kanë rrezik dukshëm më të lartë vdekjeje në dy vitet pas daljes nga spitali, krahasuar me persona të së njëjtës moshë që nuk janë infektuar me koronavirus.

Studimi u publikua në Revistën Ndërkombëtare të Sëmundjeve Infektive.

Shkencëtarët ndoqën mbi 16 mijë persona të moshës 40 vjeç e lart. Një grup përfshinte pacientë të shtruar në spital për COVID-19 midis marsit 2020 dhe dhjetorit 2021, të cilët mbijetuan të paktën 30 ditë pas daljes nga spitali. Grupi tjetër përbëhej nga persona që nuk u infektuan me koronavirus. Të dy grupet u krahasuan sipas moshës, gjinisë dhe sëmundjeve shoqëruese.

Rezultatet treguan se rreziku i vdekjes brenda dy viteve pas daljes nga spitali ishte 69 për qind më i lartë tek personat që kishin kaluar një formë të rëndë të COVID-19. Vdekshmëria nga të gjitha shkaqet ishte 4.91 për 1,000 persona në grupin e të mbijetuarve, krahasuar me 2.63 për 1,000 persona në grupin e atyre që nuk ishin infektuar.

Rreziku ishte më i lartë tek pacientët e moshës 40 deri në 64 vjeç, ku u vu re më shumë se dyfishim i rrezikut të vdekjes. Tek personat mbi 65 vjeç, rreziku mbeti i lartë, por ndikimi ishte relativisht më i vogël krahasuar me grupmoshën më të re.

Studimi tregoi gjithashtu se rreziku rritej ndjeshëm tek personat me sëmundje kronike, si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e veshkave.

Nga ana tjetër, vaksinimi kundër COVID-19 rezultoi të ulë rrezikun e vdekjes, veçanërisht tek personat e moshës së mesme. Personat e moshës 40–64 vjeç që kishin marrë dy ose më shumë doza të vaksinës kishin 48 për qind rrezik më të ulët vdekjeje. Tek personat mbi 65 vjeç, kjo mbrojtje ishte më e dobët dhe jo statistikisht e rëndësishme.

Autorët e studimit theksojnë se këto gjetje tregojnë nevojën për ndjekje mjekësore të vazhdueshme të pacientëve që kanë qenë të shtruar në spital për COVID-19, me vëmendje të veçantë ndaj problemeve të zemrës, veshkave dhe sëmundjeve onkologjike, të cilat mund të shfaqen ose të përkeqësohen pas infeksionit të rëndë.