Stuhia bllokon Europën

 Stuhia që ka përfshirë shumë pjesë të pjesës perëndimore të Evropës, ka sjellë deri te mungesa e energjisë elektrike në vende të shumta, probleme në trafikun rrugor dhe ajror, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Francë, nga era e fuqishme që ka kapluar vendin kanë mbetur 9 persona të lënduar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Francës sot bëri të ditur se nëntë persona janë lënduar gjatë erës së stuhishme që goditi vendin.

Më tej theksuan se katër persona janë në gjendje të rëndë pas një aksidenti të shkaktuar nga era, e cila sot arriti shpejtësinë mbi 160 kilometra në orë.

Nga ministria në fjalë theksojnë se në rajonin e Parisit një pemë ka rënë mbi një automjet duke lënduar seriozisht një person, ndërsa një tjetër u lëndua kur u rrëzua nga ndërtesa.

Në Eure-et-Loire një motoçiklist goditi një pemë e cila ishte çrrënjosur dhe shembur në rrugë. Në lindje të vendit, një grua u lëndua rëndë kur një objekt e goditi në kokë.

Stuhia ndikon negativisht edhe në Gjermani

Ndërsa stuhia në jug dhe perëndim të Gjermanisë gjithashtu ka ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.

Pemët e shembura në provincat Rhine-Westphalia Veriore, Rheinland Pfalz, Baden-Württemberg dhe Bavyera, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë e cila ka arritur shpejtësinë deri në 120 kilometra në orë, shkaktuan ndërprerje në autostrada dhe nisjen e trenave.

Në lajmet e mediave gjermane thuhet se disa rrugë në qytetet Essen dhe Mülheim janë përmbytur dhe se në të paktën 3 vendbanime të provincës Rheinland-Pflalz ka patur ndërprerje në furnizimin me energji elektrike.

Kopshtet zoologjike në disa rajone po mbahen të mbyllura për shkak të stuhisë.

Reshjet e dendura kanë rritur nivelin e ujit në lumin Ren, ndërkaq edhe udhëtimet me anije janë kufizuar. Po ashtu bëhet e ditur se janë reduktuar nisjet dhe uljet e avionëve nga aeroporti i Frankfurtit.

Hekurudhat gjermane (Deutsche Bahn) njoftojnë se një tren me pasagjerë në afërsi të qytetit Selm ka goditur pemën, e cila kishte rënë në binarët e hekurudhës.

Në anën tjetër u bëhet thirrje edhe shoferëve të automjeteve që të jenë më të kujdesshëm.

Departamenti Meteorologjik i Gjermanisë kërkon nga qytetarët që të qëndrojnë larg rajoneve pyjore, ku paralajmëroi se stuhia mund të vazhdojë deri në mbrëmje dhe se mund të përhapet edhe në pjesën veriore të shtetit.

Zvicër, mungesë e energjisë elektrike

Stuhia ka përfshirë gjithashtu dhe Zvicrën ku ka sjellë deri te mungesa e energjisë elektrike, anulimi i fluturimeve në Cyrih dhe Bazel si dhe deri tek përmbysja e kamionëve në autostradë.

Mediat lokale lajmëruan se janë anuluar së paku 11 fluturime, ndërsa disa të tjera janë ridestinuar në aeroporte tjera, mes të cilave edhe dy fluturime të Turkish Airlines nga Stambolli për në Cyrih dhe Bazel. Të dyja fluturimet janë ridestinuar në aeroportin në Milano.

Mijëra familje në liqenin e Cyrihut kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë, ndërsa zjarrfikësit kanë marrë shumë telefonata për ndihmë për shkak të pemëve të shembura që kanë bllokuar rrugët dhe përmbytjet që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.

Në raportet e mediave po ashtu theksohet përmbysja e kamionëve në pjesën e autostradës pranë Emmenit.

Stuhia “Eleanor” godet Britaninë, mijëra banorë pa energji elektrike

Stuhia “Eleanor”, e cila solli erëra, reshje dhe valë të mëdha, sot në gjithë Mbretërinë e Bashkuar shkaktoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe probleme në komunikacion.

Instituti Meteorologjik njoftoi se shpejtësia e stuhisë e cila në disa vende ka arritur në 162 kilometra në orë pritet të ulet sot pasdite.

Instituti u bën thirrje Anglisë, Uellsit, Irlandës së Veriut dhe rajoneve jugore të Skocisë që “të jenë të gatshëm” për kushtet e vështira atmosferike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet në gjithë ishulin për shkak të reshjeve të dendura.

Për shkak të erërave dhe reshjeve të dendura, Instituti Meteorologjik ka dhënë alarm të verdhë dhe portokalli në shumë rajone.

Stuhia shkakton dëme në Holandë

Instituti Meteorologjik i Mbretërisë së Holandës (KNMI), si pasojë e stuhisë së fuqishme që lëviz me shpejtësi 130 kilometra në orë, në pjesën veriperëndimore të vendit ka dhënë alarm portokalli, ndërsa në rajonet e tjera alarm të verdhë.

Për shkak të stuhisë, në vend po përjetohen vështirësi në komunikacionin tokësor, ajror dhe hekurudhor. Stuhia e cila nisi në mbrëmje dhe u përshpejtua në orët e mesditës së sotme, dëmtoi disa shtëpi dhe ndërtesa, ndërkaq me pemët e thyera u dëmtuan automjetet përreth.

Për shkak të stuhisë dhe ngritjes së nivelit të ujërave, për herë të parë në shtet, për shkak të sigurisë janë mbyllur 5 pendat më të mëdha në vend.

Në Schiphol, aeroportin më të madh në vend ka vështirësi fluturimi, ndërsa janë anuluar mbi 250 fluturime. Zyrtarët u bënë thirrje shoferëve të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.