Qendra Islame e Filadelfias Verilindore ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve pas një sulmi me zjarrvënie që dëmtoi xhaminë dhe ndërpreu planet për zgjerimin e saj.
Sipas njoftimit të qendrës, sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 korrikut, kur një person i maskuar hodhi një mjet ndezës brenda objektit dhe u largua menjëherë. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar ngjarjen, ndërsa zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në pjesën e përparme të xhamisë. Autoritetet ndërhynë shpejt për ta vënë situatën nën kontroll dhe po punojnë për identifikimin e autorit.
Drejtuesit e qendrës e kanë cilësuar incidentin si një sulm të motivuar nga urrejtja. Ata theksojnë se ngjarja ndodhi në kohën kur komuniteti po punonte për zgjerimin e xhamisë, pasi objekti aktual nuk i përmbush më nevojat e numrit në rritje të besimtarëve.
Qendra Islame e Filadelfias Verilindore është themeluar në vitin 2004, ndërsa prej vitit 2005 shfrytëzon një shtëpi dykatëshe si xhami. Sipas komunitetit, çdo të premte mbi 500 besimtarë marrin pjesë në namazin e xhumasë, duke bërë që hapësira të mos jetë e mjaftueshme.
Komuniteti ka bërë të ditur se ka blerë pronën ngjitur dhe ka siguruar lejet e nevojshme për ndërtimin e një xhamie të re, e cila do të ofrojë më shumë hapësirë për falje, edukim islam dhe aktivitete komunitare. Për këtë arsye, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të kontribuojnë si për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmi, ashtu edhe për ndërtimin e objektit të ri. /mesazhi








