Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sulmi me dron në Sudan vret 24 persona, mes tyre 8 fëmijë

Sulmi me dron në Sudan vret 24 persona, mes tyre 8 fëmijë

A drone attack by a notorious paramilitary group hit a vehicle carrying displaced families in central Sudan Saturday, killing at least 24 people, including eight children, a doctors’ group said. (X/@PressTV)

Të paktën 24 persona, përfshirë tetë fëmijë, kanë humbur jetën pas një sulmi me dron të kryer nga një grup paramilitar në Sudanin qendror, bëri të ditur një grup mjekësh.

Sipas Rrjetit të Mjekëve të Sudanit, sulmi ndodhi të shtunën pranë qytetit Rahad, në provincën Kordofan Verior, dhe u atribuohet Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Një automjet që transportonte familje të zhvendosura u godit, vetëm një ditë pasi ishte shënjestruar edhe një konvoj ndihmash i Programit Botëror të Ushqimit.

Automjeti po transportonte persona që kishin ikur nga përleshjet në zonën Dubeiker. Mes viktimave fëmijë ishin edhe dy foshnja. Disa persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan për trajtim në Rahad, ku mungesat e furnizimeve mjekësore janë të rënda, ashtu si në shumë zona të rajonit Kordofan.

Rrjeti i Mjekëve u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave për të drejtat e njeriut të ndërmarrin veprime të menjëhershme për mbrojtjen e civilëve dhe për të mbajtur përgjegjëse udhëheqjen e RSF-së për këto shkelje.

Nga RSF nuk pati reagim të menjëhershëm. Grupi paramilitar është në luftë me ushtrinë sudaneze për kontrollin e vendit prej rreth tre vitesh.

Sudani u zhyt në kaos në prill të vitit 2023, kur përplasjet mes ushtrisë dhe RSF-së shpërthyen në luftime të hapura në kryeqytetin Khartoum dhe në zona të tjera, duke lënë dhjetëra mijëra të vdekur dhe miliona të zhvendosur. /mesazhi