Superclasico nuk do luhet në Argjentinë

Zyrtarët e institucionit drejtues të futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL, pritën në zyrat e tyre në Paraguai, përfaqësues nga dy klubet finaliste të Kupës së Libertadores, River Plate dhe Boca Juniors, raporton supersport.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, pritej të merrej një vendim në lidhje me finalen e kthimit, e cila nuk u luajt të shtunën në stadiumin “Monumental”, të Riverit, pasi tifozët e kësaj skuadre sulmuan me gurë dhe gaz lotsjellës autobusin e ekipit kundërshtar.

Në një komunikatë të lëshuar para pak minutash, CONMEBOL ka njoftuar se është vendosur që sfida të luhet më datat 8 ose 9 Dhjetor, jashtë Argjentinës, ndërsa në një moment të dytë do të vlerësohet vendi dhe data e saktë dhe ora e takimit.

Gjithashtu vlen të theksohet se Komisioni i Disiplinës i CONMEBOL ka hapur edhe një hetim për incidentet e tmerrshme, në hyrje të stadiumit “Monumental”, ndërsa mediat argjentinase paralajmërojnë se River Plate rrezikon të humbasë sfidën 0-3 në tavolinë.