Sveçla, para pjesëmarrjes së Thaçit në Forumin Parisit me Vuçiqin: Esat Pasha u vra në Paris

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, ka komentuar pjesëmarrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, “Paris Peace Forum” (Forumin e Paqes së Parisit), që mbahet më 11-13 nëntor të këtij viti.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ia përkujtuar Thaçit por edhe mediave se “Forumi i Parisit ka në Bordin Drejtues përfaqësuesit e disa OJQ-ve ndërkombëtare që kanë dalë në mbështetje të idesë së Serbisë për “spastrim paqësor etnik” të shqiptarëve në Kosovë dhe Luginë të Presheves – atë që Thaçi po e prezanton si normalizim i marrëdhënieve me Serbinë”.

“Shqiptarët e dinë shumë mirë se si u realizua spastrimi ‘paqësor’ etnik i kombit tonë, në majë të bajonetave, gjatë Konferencës së Paqes së Parisit para një shekulli. Për t’i kundërshtuar vendimet e asaj konference, shqiptarët mbajtën Kongresin e Lushnjes, e rrëzuan qeverinë kolaboracioniste të Durrësit, rrokën armët e luftuan për lirinë e popullit në trevat shqiptare, dhe Avni Rrustemi e vrau Esad Pashën në Paris”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë i Sveçlës:

“Çuditërisht mediat dhe pushtetarët shqiptarë nuk po flasin hiç për “Paris Peace Forum” (Forumin e Paqes së Parisit – https://parispeaceforum.org) që mbahet më 11-13 nëntor të këtij viti. Forumi ka në Bordin Drejtues përfaqësuesit e disa OJQ-ve ndërkombëtare që kanë dalë në mbështetje të idesë së Serbisë për “spastrim paqësor etnik” të shqiptarëve në Kosovë dhe Luginë të Presheves – atë që Thaçi po e prezanton si normalizim i marrëdhënieve me Serbinë. Në Forum janë ftuar disa udhëheqës politikë, e është i ftuar edhe Vuçiqi, i cili do pritet me respektet më të larta. Mediat Serbe e kanë prezantuar pjesëmarrjen e Vuçiqit si mundësi për të zgjidhur “problemin” e Kosovës.

100 vite më vonë duan ta përsëritin në formën e një farse historinë tragjike të Konferencës së Paqes së Parisit, ku u nënshkrua Traktati i Versajës që i copëtoi tokat shqiptare. Neo-Nazisti që ka ideuar “alt-right” në ShBA, Richard Spencer, ka disa vite që flet për “spastrim etnik paqësor” në ShBA e në Evropë. I njëjti i është referuar Traktatit të Versajës si shembull i mirë i “spastrimit etnik paqësor”. Të njëjtin propozim për “spastrim etnik paqësor”, kësaj radhe për Kosovën dhe Luginën, e mbështeti dje në një artikull në Neë York Times edhe C.A.K që punon për OJQ-në “Council on Foreign Relation”, që është në Bordin e “Forumit të Paqes së Parisit”. Këta bëjnë sikur s’e dinë që ai traktat për “paqe” i dha hov nazizmit e fashizmit në botë, drejt Luftës së Dytë Botërore.

Por shqiptarët e dinë shumë mirë se si u realizua spastrimi “paqësor” etnik i kombit tonë, në majë të bajonetave, gjatë Konferencës së Paqes së Parisit para një shekulli. Për t’i kundërshtuar vendimet e asaj konference, shqiptarët mbajtën Kongresin e Lushnjes, e rrëzuan qeverinë kolaboracioniste të Durrësit, rrokën armët e luftuan për lirinë e popullit në trevat shqiptare, dhe Avni Rrustemi e vrau Esad Pashën në Paris”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/