Takim Putin-Netanyahu, mund të ofrohet plani për Sirinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka pritur në një takim pune në Moskë, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një kumtesë të lëshuar nga Kremlini, thuhet se në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë ushtarakë nga të dyja vendet, si dhe i dërguari presidencial rus për Sirinë, Alexandre Lavrentyev.

Para se të takohen sot, dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike në të cilën kanë biseduar për bashkëpunimin ushtarak dhe situatën në Lindjen e Mesme.

Mediat ruse bëjnë të ditur se kryeministri izraelit do t’i shpalos Putinit një plan për zgjidhjen e çështjes së Sirisë, gjë e cila është komentuar nga zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov.

“Nëse ofrohet një plan, Rusia do ta shqyrtojë atë”, tha ai.

Vizita e kryeministrit izraelit në Moskë vjen disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Izrael.

Kjo është vizita e parë e Netanyahut në Rusi, që nga vendimi i papritur i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump muajin e kaluar, për të njohur pretendimin territorial të Izraelit mbi Lartësirat e pushtuara të Golanit sirian, të cilin veprim Moska zyrtare e kundërshtoi.