Talibanët paralajmërojnë SHBA-në për vazhdimin e pranisë ushtarake

Talibanët reaguan ashpër ndaj deklaratës së fundit nga Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe vazhdimit të pranisë ushtarake nga Gjermania në vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, grupi paralajmëroi për “vdekje dhe shkatërrim” në rast të shkeljeve të marrëveshjes së Dohas me SHBA-në.

Militantët paralajmëruan kategorikisht kundër mostërheqjes së të gjithë trupave të huaja nga Afganistani më 1 maj në përputhje me marrëveshjen me SHBA-në të nënshkruar në Katar.

“Në një rast të tillë, Emirati Islamik (Talibanët), si përfaqësues i kombit afgan besimtarë, trima dhe Muxhahid”, do të detyrohet të mbrojë fenë dhe atdheun e tij dhe të vazhdojë luftën e tij ‘Xhihad-in’ dhe të armatoset kundër forcave të huaja për të çliruar vendin e tij. E gjithë përgjegjësia për zgjatjen e luftës, vdekjet dhe shkatërrimet do të jetë mbi shpatullat e atyre që e kryen këtë shkelje”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësi i grupit Zabiullah Mujahed.

Reagimi erdhi ndërsa Gjermania ra dakord të vazhdojë misionin e saj në Afganistan deri në 2022, në pritje të miratimit nga parlamenti. Sipas draftit të dakorduar nga Kabineti i Kancelares Angela Merkel, trupat gjermane do të qëndrojnë deri më 31 janar 2022.

Gjermania ka kontingjentin e dytë më të madh pas SHBA-së në misionin e Mbështetjes së Vendosur të NATO-s në Afganistan, me më shumë se 1.100 trupa në Afganistanin verior.

Qeveria afgane e mirëpriti zhvillimin.

“Faleminderit, Gjermani për votimin për të qëndruar me Afganistanin dhe vazhdimin e mbështetjes”, shkroi Ambasadori i Afganistanit në Gjermani Yama Yari në Twitter.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Rehmatullah Andar, tha se marrëveshja e Dohas shërben vetëm si një armëpushim midis SHBA-së dhe talibanëve.

Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp si president i SHBA-së, Joe Biden tha se 2.500 trupat e mbetura amerikane mund të mbesin akoma në Afganistan pas 1 majit.

“Do të jetë e vështirë përmbushja e afatit të 1 majit”, tha Biden.

Në Afganistan janë shtuar zërat për nxitjen e një qeverie të përkohshme me pjesëmarrjen e talibanëve.

Por një pjesë e mediave afgane njoftoi javën e kaluar se në kontrast me një qeveri të përkohshme, presidenti Ashraf Ghani mund të hedhë idenë e zgjedhjeve të parakohshme në një konferencë të ardhshme të paqes në Stamboll.

Ai tha se, sipas planit të propozuar të paqes, një armëpushim gjashtëmujor do të shpallet përpara zgjedhjeve.

Në fillim të këtij muaji, Rusia, SHBA, Kina dhe Pakistani, treshja e zgjeruar në zgjidhjen afgane, u bënë thirrje talibanëve të braktisin planet për ofensivën pranverore pas takimit të Moskës për Afganistanin të enjten.

Duke bërë presion ndaj fraksioneve ndërluftuese në Afganistan për të arritur një zgjidhje politike të negociuar, konferenca e Moskës miratoi rezolutën 2513 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kundërshton rivendosjen e “Emiratit Islamik” (regjimi taliban) në Afganistan.

Kjo u bë përpara një konference tjetër të rëndësishme ndërkombëtare të paqes në Turqi.

Ministria e Jashtme turke shprehu gatishmërinë për organizimin e konferencës në prill në një përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të konfliktit në Afganistan./aa

 

Qatar, Feb 29 (ANI): United States Special Representative for Afghanistan Zalmay Khalilzad and Mullah Abdul Ghani Baradar, Taliban group’s top political leader signing a peace agreement between Taliban and U.S., in Doha on Saturday. (ANI Photo)