Targat e Serbisë përdoren kundër tagrave të Kosovës

Abdi Baleta

Kjo Europë po tregon një squllje të rrezikshme diplomatike para rolit që po luan Serbia në Ballkan për të krijuar sa më shumë atmosferë dyshimi, pasigurie e frike me fantazmën e “ukrainizimit” të Ballkanit, në qoftë se Europa nuk plotëson lakmitë e saj për bosnjëzimin e Kosovës, nuk mbështet krijimin e Serbisë së Madhe si një “dordolec mbishtetëror” të quajtur tashmë “Ballkani hapur” (të simbolizuar nga Vuçiqi me xhamadan serb dhe Edi Rama me poturet shqiptare) që të lëshojë hijen më shtypëse në qendër të Ballkanit.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Kështu po urdhërojnë këto ditë Brukseli diplomatik dhe Boreli e Lajçaku cinikë pas “dështimit” të përpjekjeve të tyre që të arrihej një “marrëveshje” ndërmjet Vuçiqit e Albin Kurtit që të “parandalohet ndonjë përshkallëzim i mëtejshëm i tensionit” në kufijtë ndarës midis Serbisë e Kosovës, sikurse kërcënon Serbia. Boreli njoftoi me një pezmatim të shtirur se e kishte përmbushur misionin e tij, edhe pse kishte dështuar në përpjekjet që të arrihej një ujdi ndërmjet Vuçiqit e Kurtit pas orë bisedimesh. I çliruar nga pesha e misionit që kishte, Boreli deklaroi hapur se kjo kishte ndodhur për faj të qëndrimit të kryeministrit të Kosovës. Por, dihej se këto bisedime ishin të dështuara pa nisur, sepse Vuçiqi e kishte deklaruar që në Beograd se ai nuk priste gjë prej tyre. Ai sigurisht e dinte paraprakisht se propozimi fiktiv i Borelit, që kishte për synim t’i hiqej Kosovës tagra e saj shtetërore sovrane për të rregulluar ligjërisht dhe zbatuar praktikisht lëshimin e përdorimin e targave për mjetet lëvizëse të shtetasve të vet.

Në fakt, ajo që po trajtohet si “punë targash serbe” është diçka shumë më serioze për Kosovën, është “punë tagrash sovrane shtetërore e kombëtare shqiptare”. Në termin “tagër” ndërthuren disa kuptime specifike. Tagrat janë “e drejtë, detyrë, deri detyrim” (sidomos për institucionet pushtetore e shtetërore) për të trajtuar e zgjidhur probleme të rëndësishme të shtetit e të shoqërisë. Prandaj është me shumë rëndësi lufta diplomatike e ligjore që po bën qeveria e Kosovës në çështjen e “targave serbe” për të mbrojtur “tagrat politike shqiptare”. Por, Brukseli dhe Boreli po u kërkojnë udhëheqësve të Kosovës të pranojnë modifikimin e një marrëveshjeje të mëparshme që të plotësojnë një tekë të mëpasme serbe dhe për të shënuar një tjetër hap provokues në gërryerjen e themeleve të shtetshmërisë sovrane të Kosovës.

Gjatë më shumë se një dekade nga fillimi i bisedimeve pa kuptim shqiptaro-serbe në Bruksel asnjëherë nuk ka qenë marrë vesh saktësisht se çfarë po ndodhte atje, edhe kur rridhte ndonjë lajm i padeshifrueshëm për publikun e gjerë se ishte arritur edhe një ujdi e re. Por, siç e sqaroi më 21 nëntor 2022 Presidentja e Republikës së Kosovës, shumica e këtyre marrëveshjeve kanë qenë me detyrime të njëanshme për Kosovën dhe nuk janë zbatuar ato ku i kërkohej Serbisë të merrte përsipër detyrime, si rregullimi i problemit të “targave” serbe në Kosovë. Këto janë shenja të qarta se, me gjithë arritjet e mëdha të shënuara në përmbushjen e aspiratave kombëtare shqiptare në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX dhe në të parin e shekullit XXI, zgjidhja e plotë dhe përfundimtare e çështjes kombëtare shqiptare mbetet ende në zgrip. Shqiptarët duhet të dëshmojnë më shumë vendosmëri e syçeltësi në çdo veprim që u kërkohet të mbajnë në bisedimet me Serbinë, sepse çdo gabim i bërë paguhet shumë shtrenjtë më vonë nën trysninë ndërkombëtare, që nuk resht së favorizuari Serbinë.

Këtë dukuri e vërejmë edhe në “shtetin më të vjetër shqiptar”, Republikën e Shqipërisë, ku po vihet në dyshim vetë karakteri kombëtar shqiptar i shtetit, ku nëpërkëmben nga Serbia, Greqia e fqinjët e tjerë identiteti dhe dinjiteti kombëtar shqiptar e kompaktësia kombëtare shqiptare, që minohen nga jashtë e nga brenda vendit. Për fat të keq këtë dukuri të gërryerjes së themeleve të kombit shqiptar po e vëmë re tani edhe në Republikën e Kosovës tek disa forca politike, rryma “intelektualiste” apo gazetareske dhe individë me interesa meskine, që sot përpiqen t’ia shtojnë pengesat e vështirësitë pushtetit të drejtuar nga Vjosa Osmani, Albin Kurti e bashkëpunëtorë të tjerë të tyre.

Kim Mehmeti e ka thënë me vend (ndonëse është e dhimbshme) që këtyre u ka mbetur tani mbi supe barra të pastrojnë plehun që e lanë trashëgim qeverisjet e mëparshme të Kosovës dhe të përpiqen të shpëtojnë diçka nga dëmet morale e politike të mëparshme. Por, tjetër (a)logjikë po ndjekin kritizerët e qëndrimeve të qeverisë së tanishme të Kosovës, shumë prej të cilëve janë më të interesuar që të dështojë modeli i politikës e diplomacisë së Albin Kurtit në Kosovë, duke shpresuar se kështu justifikojnë dështimet e dëmet e tyre të mëparshme.

Pezmatohemi kur shohim se shteti i Kosovës po vuan ende nga ngërçi politik e diplomatik në emër të kujdesit të tepruar të disave “për të mos bërë të pakënaqur ndonjë nga mirëbërësit tanë të përkohshëm të së shkuarës” dhe për të shmangur “rënien në izolim ndërkombëtar të Kosovës”.

Ata që e kanë lexuar tregimin e famshëm “Plaku dhe deti”, të shkrimtarit amerikan Ernest Heminguej, e përjetojnë më dhimbshëm dëshpërimin që mund të shkaktojë “mundi i madh që ka shkuar kot” dhe “zbehja apo shuarja e gëzimit” për “gjahun e mirë” që e sheh të ta rrëmbejnë nëpër duar grabitqarët. Duhet të trembemi ende se mos fatin e keq të “skeletizimit” mund ta pësojë dhe pavarësimi i Kosovës në detin e trazuar dhe plot grabitqarë të politikave ballkanike e të diplomacisë europiane e ndërkombëtare. Pavarësinë e mbikëqyrur e të ngarkuar me shumë hipoteka të Kosovës duan ta dobësojnë e ta lakuriqosin edhe më tej, ta “skeletizojnë” deri në atë gjendje mjerane sa t’u mërzitet më në fund dhe vetë shqiptarëve. Na erdhën bash në kohën e duhur dhe në tingëllimin e fortë për të cilin kanë nevojë shqiptarët fjalët e presidentit të Turqisë se në Kosovë nuk kanë për të ndodhur përmbysjet e kthimet mbrapsht për të cilat disa fërkojnë duart në Ballkan e jashtë tij.

Siç dihet, Serbia e thotë, rast e pa rast, se ajo kënaqet vetëm nga një zgjidhje: Kosova të pranojë të hyjë përsëri nën njëfarë ombrelle në juridiksionin shtetëror të Serbisë, pra të heqë dorë nga pavarësia tashmë e fituar dhe e njohur ndërkombëtarisht nga mbi gjysma e shteteve në botë. Makineritë politike e diplomatike të Serbisë lëvizin pa pushim nëpër botë me targën millosheviqiane nëpër botë. Prandaj nëse duan të kontribuojnë me të vërtetë në pakësimin e largimin e rrezikut të përshkallëzimeve të tensioneve të tipit ukrainas në Ballkan, Brukseli e Boreli duhet të angazhohen seriozisht për t’u hequr politikës e diplomacisë serbe targat e prodhuara që në kohën e Millosheviqit, i cili kur u shtrua problemi i shpërbërjes së federatës së Jugosllavisë nga republikat e forcat separatiste betohej se do të krijonte Serbinë e Madhe, duke hedhur gjithë vendin në luftë. Njërin objektiv ai e përmbushin vetë: ish-Jugosllavia përjetoi dhjetë vjet luftëra të përgjakshme. Objektivin tjetër vazhdojnë ta realizojnë hap pas hapi pasuesit e tij që vozisin mjete lufte më moderne se atëherë, por që mbajnë të njëjtat targa millosheviqiane.

Brukseli e Boreli më 21 nëntor 2022 dëshmuan fare haptazi se mbështesin këtë prirje të diplomacisë serbe në dëm të Kosovës, të Shqipërisë e të kombit shqitar. Kjo e bën edhe më të frikshme atmosferën e përgjithshme në Europë në kohën kur ky tashmë po ambientohet me shumë lloje gjenocidesh të njëhershme në Ukrainë. Tani Europa ka hyrë në shumë udhëkryqe njëherësh. Zhvillimet e ngjarjet po tregojnë se Europa po “ballkanizohet” në një kohë që mundohet me shumë sforcime të hiqet sikur po kompaktësohet rreth domosdoshmërisë për të ndihmuar e shpëtuar Ukrainën. Nga ana tjetër, po kjo Europë po tregon një squllje të rrezikshme diplomatike para rolit që po luan Serbia në Ballkan për të krijuar sa më shumë atmosferë dyshimi, pasigurie e frike me fantazmën e “ukrainizimit” të Ballkanit, në qoftë se Europa nuk plotëson lakmitë e saj për bosnjëzimin e Kosovës, nuk mbështet krijimin e Serbisë së Madhe si një “dordolec mbishtetëror” të quajtur tashmë “Ballkani hapur” (të simbolizuar nga Vuçiqi me xhamadan serb dhe Edi Rama me poturet shqiptare) që të lëshojë hijen më shtypëse në qendër të Ballkanit.

Kjo tablo nuk është një prodhim surrealist e i një fantazie të nxitur nga inati që Brukseli e Boreli dhe të tjerë diplomatë e pushtetarë nëpër Europë krijuan më 21 nëntor 2022 e më pas për të fajësuar Kosovën e kryeministrin e saj se po i shkaktonin dhimbje koke Borelit, se po i nxirrnin telashe BE-së e NATO-s. Pak përpara kësaj në Londër ishte dhënë kushtrimi nga qeveritarët e rinj se “shqiptarët po pushtojnë Britaninë e Madhe”, në një kohë që nga SHBA vinin paralajmërimet se do të mbrohet Shqipëria nga një sulm që përgatit kundër saj Irani. Çdo ditë gjëmojnë në veshët tanë zëra nga shqiptarë dhe të huaj se Shqipëria po shpopullohet e nuk dihet më se cilët do të jenë ata që do të vinë në këtë bukuri të natyrës pas largimit të autoktonëve, për ta ripopulluar sipas parimit “njerëz pa tokë, në një tokë pa njerëz”, që dha rezultatet e njohura në kolonizimin nga hebrenj të Palestinës dikur.

Janë grumbulluar plot fakte gjatë shumë vitesh që tregojnë rrugë e mënyra të pahijshme si krijohen tablo të tilla. Nëse ndjekim në retrospektivë rrugët nëpër të cilat është keqtrajtuar çështja shqiptare analizën duhet ta nisim të paktën qysh nga “Kongresi i Berlinit” (1878) dhe “Konferenca e Berlinit” 1885, sepse që atje është shënjuar e shënjestruar për keq kombi shqiptar nga Ballkani dhe Europa, sepse që atëherë mori vrull rindarja e botës midis fuqive të vjetra e të reja koloniale. Nisma e Berlinit për Ballkanin Perëndimor në vitin 2014 nuk është jashtë kësaj spiraleje. Dhe projekti për “Serbinë e Madhe” të mbiquajtur “Ballkan i Hapur” nuk është pa lidhje me “Nismën e Berlinit”. Dhe shënjestrimi i shqiptarëve për të qenë të ndëshkuarit e parë e më të dëmtuarit nga zhvillimet e tanishme nuk është jashtë sferës së ndjesive, perceptimeve e planifikimeve pragmatiste dhe konjukturale të reja për të imponuar pseudozgjidhje sa më të lehta për burokracinë e Brukselit, për skemat e shteteve të veçantë ose të grupime shtetesh me lidhje të veçanta gjatë periudhave të mëparshme historike.

Nga sa është thënë e interpretuar deri tani pas 21 nëntorit janë të njohura vetëm një pjesë e lidhjeve dhe implikimeve ndërkombëtare që krijohen në këto çaste në prag të zbarkimit të madh diplomatik të Europës më 6 dhjetor 2022 në Tiranë. Prandaj duhet të presim për disa ditë pa u shpejtuar të bëjmë hamendësime të tepruara. Ndërkohë ka një zhvillim të ri që kërkon vëmendje e kujdes në çdo trajtim: janë qortimet e ashpra, por të studiuara e të formuluara me kujdes e përgjegjësi nga kryeministrja e re e Italisë në politikën që bën Franca e presidenti i saj, Makron, që duket sikur kanë marrë në dorë shkopin e dirigjentit edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Kryeministrja e Italisë tërheq shumë vëmendjen e botës mbi traditat negative të politikës me frymëzim të vjetër kolonial të Francës në Afrikë. Menjëherë pas këtyre deklaratave të kryeministres Italia shpalli se do të jetë nismëtare për shtrimin e një shine të re politiko-diplomatike në drejtim të Ballkanit. Italia kishte tentuar edhe një herë më parë, kur u shpall “Nisma e Berlinit”, të ndërtonte një kanal të veçantë komunikimesh treshe me Shqipërinë e Serbinë. Por, kjo nismë nuk gjeti hapësirë, sepse atëherë Ballkanin Perëndimor e “shtinë në dorë” si zonë të rezervuar gjahu diplomatik Gjermania, Austria dhe Franca.

Para 6 dhjetorit do të kemi rast të njihemi dhe me të rejat që do të vijnë nga mbledhja e përbashkët në Tiranë e dy parlamenteve shqiptarë, të Shqipërisë e të Kosovës, me rastin festës kombëtare të shqiptarëve. Pra, të presim e të shohim. Tani duhet të theksojmë si konkluzion paraprak se sherret në Ballkan po i nxisin sërish serbët, shqiptarët vazhdojnë traditën e keqe të shamatosjes ndërmjet tyre, kurse diplomacia burokratike e pa shumë përgjegjësi e Brukselit vërdalliset për zbavitje rreth çështjeve që u mbeten siç shkojnë në tryezat e saj.

Nga: Abdi Baleta