Të falësh

Mësuesi i mbarë njerëzimit, profeti Muhamed a.s thotë:”Zoti im më porositi nëntë gjëra” dhe prej tyre përmendi:” të fal atë që më ka bërë padrejtësi dhe ti jap atij që nuk më jep.”

Thotë Zoti në Kuran:”Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë..” (Tegabun, 14)

Që të falësh është në favor të njeriut në botën tjetër, por jo vetëm, është edhe në favorin e tij në këtë botë.

Shkenca moderne ka bërë të mundur të zbulojë dobitë që ka njeriu që fal, në këtë botë para botës tjetër.

Shumë studime moderne kanë konfirmuar marrëdhëniet e ngushta mes faljes dhe shëndetit të njeriut. Majkël Berri, në librin e tij rreth trajtimit të tumoreve të ndryshme, thotë se paaftësia e njeriut për të falur dhe për të qenë tolerant me të tjerët, në vetvete është një fenomen patologjik, gjë e cila ndikon negativisht në shëndetin e njeriut. Ai shton se tensionet nervore si pasojë e mos faljes dëmtojnë aparatin e tretjes, venat dhe sistemin imunitar të njeriut.

Paaftësia për të falur, e lodh jashtë mase sistemin muskulor të njeriut dhe kjo për shkak të tensionit muskulor të pandërprerë. Kjo e rrit mundësinë për dhimbje koke, dhimbje të kyçeve, humbje të ekuilibrit dhe rraskapitje, duke shkaktuar dhe vonesë në ripërtëritjen e qelizave. Tek njeriu që nuk fal dot vihet re edhe vonesa në shërimin e plotë nga një sëmundje e caktuar.

Personat që refuzojnë të falin, mund të mendojnë se me këtë po ndëshkojnë të tjerët. Por, në fakt, të vetmit që paguajnë faturën e kësaj janë vetë ata. Ata i ngjajnë atij që pi helm dhe pret të sëmuret apo të vdesë personi që kanë inat.

Disa i dëgjoj të thonë:”E kam të pamundur të fal dhe ta harroj atë që ka ndodhur, pasi është diçka jonormale dhe jo e natyrshme.”

Po, është e vërtetë, të falësh është diçka që qëndron mbi normalen dhe prandaj edhe Zoti thotë:”Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet, 34-35)

Të marrësh vendim për të falur dhe për t’ia kthyer tjetrit me të mirë, është një vendim i qëllimshëm dhe logjik. Kjo bëhet vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe për të çuar në vend urdhrin e Tij. Nëse e bën këtë, Zoti do të nderojë dhe do e vlerësojë aktin tënd, Ai do e zbusë zemrën tënde dhe do e mbushë me dashuri e mirësi.

Emocionet negative si urrejtja dhe mos falja ndaj atyre që besojmë se na kanë hyrë në hak, na kanë dhunuar dhe bërë padrejtësi, shkakton një ndryshim rrënjësor në konstruktin e emocionit të dashurisë brenda trupit të njeriut. Kjo shkakton sekretim të lëndëve kimike të caktuara në të gjithë trupin, por në veçanti në valët e trurit të njeriut, gjë e cila ia redukton njeriut aftësinë për tu menduar qartësisht dhe për të marrë vendimet e duhura.

Është realisht “fat i madh” që të kesh një zemër që është në gjendje të falë dhe tolerojë edhe armikun e vet. Tek profeti Muhamed a.s ne kemi shembullin më të mirë. Herë pas here, edhe në momente konfrontimi fizik me armiqtë, ai lutej:”O Zot udhëzoje popullin tim se nuk dinë!”

Kur Profeti a.s hyri në Mekë si triumfator, iu drejtua kurejshëve të cilët e kishin torturuar dhe lënduar aq shumë, me fjalët:”Shkoni se jeni të lirë!”

Kur përveç faljes, edhe lutesh për personin që të ka bërë padrejtësi, në mënyrë të pavetëdijshme do të ndjesh dhembshuri dhe mëshirë për të. Kjo, sepse është e pamundur ta shkulësh urrejtjen nga zemra, pa e zëvendësuar me një emocion tjetër, dashurinë, po, dashurinë për Krijuesin dhe dashurinë për krijesën, e gjitha kjo për hatrin e Zotit.

Kështu, i ke hapur vetes portën e zgjidhjes së shumë problemeve dhe portën e furnizimit nga nuk e kupton.

“kush respekton ligjet e Zotit, i jep zgjidhje për hallet dhe e furnizon andej nga nuk e priste.” (Talak, 2)

Shumica e njerëzve që kanë arritur në nivelin e faljes, pohojnë se ndjejnë ndryshime thelbësore në emocionet, sjelljet dhe besimet. Atyre u lehtësohet barra që ndjenin më parë, u zhduket dëshira për hakmarrje, mendojnë më qartësisht dhe zemrat u mbushen me dashuri, dhembshuri dhe mëshirë.

Mëshirën (rahmetin), Mustafa Mahmud e përshkruan si një emocion më të thellë sesa dashuria, më të pastër dhe më të dëlirë, sepse mëshira (rahmeti) përmban dashurinë, sakrificën dhe vetëmohimin, tolerimin, faljen, ngrohtësinë dhe zemërgjerësinë.

Po, është e vërtetë që falja është një akt i vështirë dhe prandaj lipset vullnet i çeliktë, nijet i sinqertë, këmbëngulje dhe mbështetje nga Zoti.

Sepse është një akt i vështirë dhe që ka peshë jo normale, Zoti e ka ngritur lart personin që e zbaton atë duke thënë:”Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet, 35)

Zoti na bëftë prej tyre!

Nga:Dr Muhamed Fetihi

Përktheu: Elmaz Fida