Të gjitha xhamitë e Kosovës mesazhe kundër përdorimit të drogës dhe alkoolit

Në të gjithat xhamitë e Kosovës sot u bë thirrje kundër përdorimit të narkotikëve, raporton Ekonomia Online.

Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, në hytbenë e xhumasë u dhanë mesazhe kundër përdorimit të narkotikëve.
Bashkësia Islame e Kosovës ka mbështetur veprimtarinë e Task-Forcës e cila është themeluar për këtë qëllim.

Hoxhë Bahri Sejdiu tha se narkotikët dhe alkooli po e shqetësojnë shoqërinë tonë.

“Nuk ka dyshim se feja jonë Islame ka ndaluar dukuritë negative dhe ardhja e Kur’anit ka ardhë pikërisht për ndalimin e këtyre dukurive të cilat dëmtojnë shëndetin tonë. Andaj në këtë hytbe do të flasim për këto dukuritë që po na shqetësojnë shoqërinë tonë, njerëzit tonë më të afërt. Edhe pse institucionet tona apo Task Forca po mundohen për parandalimin e këtyre dukurive negative ata nuk mund t’ia dalin pa ndihmën tonë. Të gjitha këto vepra të liga që e shoqërojnë shoqërinë tonë si përfundim vjen devijimi dhe dëmtimi i shëndetit të rinisë sonë”, tha hoxhë Sejdiu.

Ai tha se tek rinia nën moshën 30 vjeçare është rritur përdorimi i narkotizimit dhe alkoolit.

“Sipas statistikave tek rinia nën moshën 30 vjeçare është rritur përdorimi i narkotizimit dhe alkoolit. Prandaj fëmija jonë, i afërmi shkatërrohet edhe në aspektin psikik dhe atë shëndetësor në qoftëse në familjen e ti ndodhet një narkoman. Largimi nga rendi familjar dhe prindërit nuk janë të kujdesshëm për rrezikun e përdorimit të alkoolit dhe lëndëve narkotike atëherë ai fëmijë devijon. Prandaj të përqendrohemi më shumë tek fëmijët tonë që ata mos ta kenë biznes shitjen e narkotikëve. Përveç gjinisë mashkullore ka edhe prej gjinisë femërore që i konsumojnë këto dukuri”, tha ai.
Sipas tij, kjo është pasojë edhe e neglizhencës dhe dobësimit familjarë.

“Andaj tek ata njerëz që kanë një lloj kulture të tillë duhet të largojmë sepse kjo është si pasojë e neglizhencës tonë dhe si dobësim familjar. Këto dukuri duhet të ndërpriten që rinia jonë të jetë e shëndetshme që shteti jonë të jetë i fortë”.