Të gjithë deputetët e PDK-së do ta votojnë Demarkacionin

Çështja e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, ka hedhur pikëpyetjen në faktin se nëse ekzistojnë numrat e nevojshëm për kalimin e kësaj marrëveshje e cila kërkon shumicën prej dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Me arritjen e marrëveshjes mes koalicionit qeverisës dhe LDK-së, duket se numri i nevojshëm për kalimin e kësaj marrëveshje është afruar, raporton lajmi.net.

Mirëpo, përkundër daljes publike të zyrtarëve Partia Demokratike e Kosovës, se kjo e fundit qëndron e unifikuar lidhur me votimin pro Demarkacionit, po del të jetë e vështirë bindja e të gjithë deputetëve nga kjo parti për të votuar pro kësaj marrëveshjeje.

Deputeti nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, dje gjatë mbrëmjes ka paralajmëruar se ai është kundër marrëveshjës aktuale të Demarkacionit, ku shkruante shkurt në profilin e tij në Facebook se “Demarkacioni nuk kalon” , gjë që la të kuptohej se ai vazhdon të mbajë qëndrim kundër kësaj marrëveshje.

Por përkundër paralajmërimit të Hasanit se ai nuk është ende pro kësaj marrëveshjeje, nga Partia Demokratike e Kosovës po thuhet se ata qëndrojnë të unifikuar për votimin e Demarkacionit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë për lajmi.net se partia e tij vazhdon me qëndrim të unifikuar për votimin e Demarkacionit.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi me një qëndrim të unifikuar, dhe kjo pa përjashtime” ka thënë Krasniqi, duke lënë të kuptohet se të gjithë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës do të votojnë pro kësaj marrëveshje.

Ndryshe, marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit do të hidhet në votim gjatë ditës së mërkurë, dhe ratifikimi eventual i kësaj marrëveshjeje do të zhbllokonte procesin shumë të rëndësishëm për Kosovën, atë të liberalizimit të vizave.