Të jesh shëmbëlltyrë për fëmijën tënd, si ndodh kjo?

“Fëmijët e sotëm janë tiranë. Ata i kundërshtojnë prindërit e vet, e zgjedhin ushqimin dhe i tërbojnë mësuesit e tyre.”
Këtë nuk e thotë një baba i sotëm i futur në dyshime, i cili sillet mirë me fëmijët e vet dhe të cilit i duket se format e mirësjelljes po humbasin te fëmijët e tij. Jo, por këtë e ka thënë me zë të lartë Sokrati qysh në shek. V para erës së re. Në një kohë kur për herë të parë zënë fill mendimet rreth edukimit të fëmijëve.

Në temën lidhur me të qenët model apo shëmbëlltyrë si dhe në dëshirën për të lënë gjurmë pozitive në fushën e edukimit, kanë punuar gjenerata të tëra përpara nesh. Të jesh figurë kryesore, të jesh shembull a model, yrnek për fëmijët, kjo është diçka e lindur te prindërit. Kjo ngase fëmijët prej nesh prindërve nuk e mësojnë vetëm gjuhën dhe të folurit, por edhe të gjitha sjelljet tona, duke i kopjuar dhe duke i imituar ato si dhe duke mësuar se si duhet të sillen ata në situata të caktuara. Ata bëjnë eksperimente me sjelljet e prindërve, i përshtatin ato, mendojnë rreth tyre, por edhe i kritikojnë ato. Në vitet e para të fëmijërisë nga ana e prindërve vendoset fundamenti, edhe pse këtu ndikojnë edhe vëllezërit e motrat, edukatorët, mësuesit, shokët etj.

Vlerat fillimisht përçohen nga prindërit

Në një sondazh të UNICEF-it, të kërkuar nga Ministria Federale Gjermane për Arsim dhe Kërkim si dhe nga Universiteti Humboldt në Berlin, është mëtuar të mësohet nga të rinjtë dhe të rejat e moshës 6 deri 14 vjeç: “Sipas mendimit tënd, kush mund t’ua përçojë fëmijëve dhe të rinjve më së miri vlerat?”. Djemtë dhe vajzat e pyetura në radhë të parë kanë përmendur prindërit, në radhë të dytë gjyshërit dhe të afërmit e tjerë, në të tretën mësuesit dhe edukatorët – krejt në fund mediat.

Ndikimi i mjedisit social për fëmijët luan fillimisht një rol dytësor, çka në moshën e adoleshencës ndryshon në masë të konsiderueshme, kur ajo që shërben si shëmbëlltyrë zhvillohet edhe më tej, plotësohet, modifikohet ose edhe hidhet poshtë. Mirëpo, që të ndodhë kjo, fillimisht duhen norma.

Sa fort mësojnë fëmijët nga modelet dhe sa socializohen me anë të tyre, kjo është nënvlerësuar dukshëm në të kaluarën, ka shkruar pediatri i njohur zviceran Remo Largo në librin e tij më të shitur Babyjahre (Vitet e foshnjërisë). Dhe jo vetëm kaq: fëmijët orientohen shumë më pak në bazë të asaj që kërkojnë prindërit prej tyre për të bërë, sesa nga ajo që ata shohin se si prindërit sillen konkretisht në jetën e tyre. Sipas Largo, prindërit kanë detyrën sfiduese: ta rishikojnë sjelljen e tyre personale dhe të vrasin mendjen se si ndikojnë ata te fëmijët e tyre si shembull.

Edhe terapeuti familjar me origjinë daneze Jesper Juul në punimet e tij është marrë me rolin shembullor të prindërve. “Fëmijët lindin me një urtësi të madhe, mirëpo atyre u mungojnë përvojat praktike jetësore, shikimi gjithëpërfshirës dhe aftësia për t’i paramenduar sendet. Për t’i fituar këto kompetenca, ata kanë nevojë për të rriturit.”

Juul, në librin e tij me titull “Të jesh ujk udhëheqës” (2016) e farkon konceptin me të njëjtin emër. Ujqit udhëheqës tregojnë se çfarë është me rëndësi në familje dhe në bashkësinë sociale. Ata janë mjeshtrit, ata tregojnë hapur dhe qartë kush si duhet të sillet, si të jesh i guximshëm. Ata e nivelojnë busullën për atë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabueshme dhe si arrihet një cak.

Mirëpo, si bëhet njeriu shëmbëlltyrë apo një ujk a ujkonjë udhëheqëse? Sa larg mbërrin ndikimi personal dhe si mbeten në kontakt baballarët dhe nënat me fëmijët e tyre, kur në fokus shtohen edhe modele apo shëmbëlltyra të tjera?

Fëmijët duan prindër autentikë

“Ti gjithmonë dëshiron të shfaqesh si hero, i cili gjithçka ka në dorën e vet. Kjo nuk është kështu ama!” i thotë Tina nga Winterthuri babait të saj, i cili punon si menaxher në fushën e automobilave dhe thënia e dashur e të cilit e tërbon totalisht të bijën: “Ka vetëm zgjidhje, nuk ka probleme.” 13 vjeçarja i rrotullon sytë sa herë që e dëgjon këtë thënie të babait. Me përgjigjet e saj, ajo sikur e sfidon babanë: Tregohu! Bashkë me pikat e tua të dobëta! Për Tinën një model i mirë është “dikush, që është ashtu siç është”. 12 vjeçari Johannes nga Berna mendon se “të rriturit nuk janë gjithmonë shëmbëlltyra të mira. Nëna më thotë që nuk duhet të gënjej, mirëpo unë e vërej saktë kur ajo nuk e thotë të vërtetën. Ajo pi duhan fshehtas në ballkon, mirëpo nuk e pranon këtë. Ndërkaq unë e ndiej erën e duhanit!” Ai e di se nëna ka një punë plot stres si infermiere dhe se ajo pi duhan për t’u qetësuar. Ai zemërohet pse ajo nuk e pranon dot këtë. Këto thënie na bëjnë me dije qartë: fëmijët nuk duan të kenë pranë vetes prindër perfekt, të fortë e pa të meta.

Madje edhe më të vegjlit i diktojnë të pavërtetat dhe i shikojnë tej e përtej lojërat teatrale të të rriturve. Secili prej nesh nganjëherë sillet në mënyrë kundërthënëse dhe bën gabime, prandaj të kuptuarit e kësaj të vërtete nga ana e të rriturve është shumë me rëndësi për zhvillimin e drejtë të fëmijëve. Sepse kush tregon se i kupton papërshtatshmëritë e veta dhe mundohet t’i korrigjojë ato, është një mjeshtër i vërtetë. Edhe pse me këtë fëmijëve dhe të rinjve u ofrojnë një fushë sulmi dhe një mundësi sfidimi, prindërit nuk duhet të struken në vetvete. Të shfaqesh me dinjitet dhe me korrektësi, ashtu siç je, pa mos u shtirur, u bën shumë mirë fëmijëve. Me këtë, pasardhësit tanë e kuptojnë se diçka me ne nuk është në rregull dhe e vërejnë se ne prindërit u bëjmë ballë sfidave dhe mundohemi ta bëjmë ndryshe ose më mirë. Thënë me fjalët e pedagogut të njohur gjerman Jan-Uwe Rogge: “Prindërit autentikë, spontanë, të cilët ndonjëherë edhe mund të gabojnë, janë pikërisht ata që duhen nga fëmijët. Prindër nga mishi e gjaku, me interesa e vlera të veta. Sepse vetëm kur ne prindërit të ndihemi mirë dhe të qetë në vetvete, do të ndihen mirë edhe fëmijët tanë.”

Si shembullore ndikon ajo që ne e bëjmë pa qëllim

Pedagogia gjermane Ursula Frost nga Universiteti i Kölnit thotë se ne “jemi shëmbëlltyrë në mënyrë të qenësishme për fëmijët tanë nëpërmjet asaj që e bëjmë pa qëllim. Prandaj, këtu më me rëndësi është personaliteti i plotë i prindit sesa qëllimet e tij të mëvetësishme. Raporti i qëllimeve tona me mënyrën se si jetojmë ne, këtu është e një rëndësie të jashtëzakonshme.” Sipas mendimit të saj, edukimi ka efekt pikërisht atëherë kur efekti i tij nuk kuptohet si një teknikë, si një ndikim i përllogaritur mbi një sjellje të dëshirueshme.

Është e thjeshtë: fëmijët na sfidojnë që të marrim qëndrim të qartë dhe të mos sillemi vërdallë me mashtrime, edhe atëherë kur jemi të rraskapitur dhe kur nuk kemi asfarë dëshire për të diskutuar. Pikërisht në këtë moment ne bëhemi të dukshëm për fëmijët tanë. Natyrisht që ne jemi të vetëdijshëm se jemi model dhe shëmbëlltyrë për ta, mirëpo jeta e përditshme jo rrallë herë luan kundër nesh. Duke qenë i lidhur ngushtë pas karrierës dhe jetës familjare, nuk është përherë e lehtë të bëhesh kullë feneri në detin e trazuar të sfidave të vazhdueshme. Në rastet e këtilla ne duhet të japim sinjalin se jemi të lodhur, të humbur, të zemëruar ose të nervozuar. Fëmijët nuk duan të kenë prindër super-yje, porse njerëz që përjetojnë përvoja të ndryshme mu si fëmijët. Ata kanë nevojë për shoqërues, të cilët pandërprerë dhe me lodhje kërkojnë pas zgjidhjeve. Kjo krijon afërsi, besueshmëri dhe e bën më interesante.

Juul kërkon nga prindërit që me fëmijët e tyre të flasin sy më sy. Kush ka frikë se me këtë rast mund të duket i vogël, ai i sugjeron qartë: “të jesh autentik dhe të kesh autoritet, nuk është kundërshti!” Ai bën apel për një lidhje në të cilën mendimet, reaksionet, ndjenjat, imazhi për veten, ëndrrat dhe vërtetësia e brendshme e fëmijës të merren po aq seriozisht sa ato të të rriturve. “Roli udhëheqës mbetet si më parë te prindërit, mirëpo në qoftë se ata fëmijët e tyre i marrin për të barasvlershëm, në qoftë se i respektojnë veçantitë e tyre individuale dhe në qoftë se i marrin në konsideratë edhe dëshirat dhe nevojat e tyre në rast të marrjes së vendimeve, cilësia e kësaj udhëheqjeje të prindërve do të përmirësohet dukshëm.”

Strukturat e besueshme i ofrojnë fëmijës siguri

Ritualet familjare dhe strukturat e besueshme e lehtësojnë rrjedhën ditore dhe ofrojnë një rend dhe sistem bazë, i cili ua lehtëson fëmijëve që të orientohen vetë, t’i përvetësojnë rregullat dhe t’u përmbahen të njëjtave. Përsëritjet i përforcojnë këto, pa pasur nevojë që t’i sqarosh dhe t’i diskutosh të gjitha nga e para. Për këtë pa dyshim se nevojitet një vetëdisiplinë. Një shembull: Kush bart përherë një helmetë biçiklete në kokë, e ka më të lehtë t’u sqarojë fëmijëve se pse ajo është e nevojshme. Kush e lë celularin mënjanë kur ulet në sofër, e ka më lehtë ta kërkojë këtë prej të tjerëve në familje. Fëmijët e kuptojnë me saktësi se çfarë është me rëndësi për babanë dhe nënën dhe se si duhet vepruar. Nevojitet një sasi e mirë e këmbënguljes për të mos u gjunjëzuar përpara angazhimeve të pafund dhe sfidave permanente të jetës së përditshme.

Vetëdisiplina është një veti të cilën ne nuk e sjellim nga lindja, porse që duhet ta fitojmë. Fëmijët kanë nevojë për struktura dhe madje përfitojnë prej tyre, kur vërejnë se si nëna ose babai nganjëherë përpiqen që të mos i lënë pas dore ose të mos i hedhin pas shpine detyrat dhe rregullat edhe kur janë të rraskapitur ose kur janë ngushtë me kohën. “Tregojuni fëmijëve tuaj se si djersiteni!”, kërkoi drejtoresha e Johannesit 12 vjeçar në një mbledhje prindërore. “Fëmijët tanë duhet që, në përputhje me moshën e tyre, të marrin pjesë në jetën e të rriturve dhe të kenë mundësinë të kundrojnë se para cilave sfida ne qëndrojmë.” Shpesh ndodh që fëmijët e çerdhes ose të foshnjores të mendojnë se të rriturit gjithçka bëjnë lehtësisht në mënyrë perfekte. Kështu, të rriturit na dalin në skenë me rezultatin, pa mos e treguar rrugën si e kanë arritur. Këtu mungon rruga nëpër të cilën duhet ecur dhe nganjëherë mund të lindë supozimi te fëmijët se për prindërit e tyre gjithçka është e lehtë.

Fëmijët mësojnë te shëmbëlltyra e familjes. “Unë shikoj se si sillen me njëri-tjetrin babai dhe nëna ime”, thotë Tina. “Mua më intereson: kush kur vendos? A e dëgjojnë ata njëri-tjetrin? Unë e kundroj se si vishet babai, çfarë sporti ushtron dhe nëse nëna ka diçka tjetër në kokë përpos punës!”

Nëse fëmijët lexojnë libra apo pandërprerë janë me celular në dorë, kjo në masë të madhe mësohet dhe jetohet në familje. Përskaj krejt kësaj, prindërit nuk kanë çdo gjë në dorë. Nga mosha e shkollës fillore interneti dhe smartfoni fitojnë një vend më të madh në jetën e fëmijëve. Të rriturit përballen me sfidën që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre në mënyrën e përdorimit të mediave digjitale, t’i mësojnë ata se si të sillen në mesin e mijëra e mijëra ofertave dhe mundësive që u vijnë, pa u përmbytur në to.

Në fillim, nëna dhe babai janë yje fikse në horizontin e kundrimit të fëmijëve. Në fazën e pubertetit bie ndikimi i tyre, ngase adoleshentët tanimë gjithnjë e më shumë orientohen sipas grupeve të moshatarëve të tyre, por edhe sipas figurave kryesore të librave, filmave, grupeve muzikore e klubeve të sportit. Sot me të madhe në sytë e adoleshentëve fitojnë kuptim idhujt nga Instagrami dhe Youtube. Kjo, jo rrallë herë shkon paralel me largimin e tyre nga vlerat prindërore. Kështu nganjëherë nëna dhe babai i shkulin flokët dhe mendojnë: “Jo, këtë nuk e ka mësuar nga unë!”

Prindërve nuk është patjetër t’u pëlqejnë modelet e tjera, por duhet t’i pranojnë ato

Shpeshherë për prindërit duket e pakuptueshme se përse fëmijët e tyre zgjedhin figura të caktuara nga Youtube për t’u veshur, krehur e sjellur mu si ata. Të rinjtë e të rejat shpeshherë kërkojnë yje ose idhuj që nuk përputhen edhe gjithaq me botëkuptimin e prindërve. Kjo nganjëherë është një sfidë e madhe, ngase këtu shpesh krijohen edhe hendeqe midis vlerave të familjes dhe atyre që janë sjellë e po valëviten në shtëpi nga bota e jashtme reale ose mediale. Prindi nuk është e thënë t’i dojë e t’i pëlqejë këto “kulla feneri” të reja, mirëpo pritet që ai ta pranojë realitetin se ato luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e fëmijës së vet. Të pranosh nuk do të thotë të miratosh dhe t’i lëshosh frenat nga dora. “Udhëheqje nënkupton në këtë rast, të lëshohesh në nivelin e adoleshentëve dhe të dëshirosh ta kuptosh botën e tyre. Pra, jo urdhra, kontroll dhe dëgjueshmëri, porse shoqërim dhe vënie e vetes në dispozicion për ta”, thotë eksperti i familjes dhe autori Mathias Voelchert.

Çfarëdo lloj shkëputjeje që të ndodhë në këtë fazë, me rëndësi është që të ruhet kontakti. Mençuri është t’u iket ligjëratave e predikimit të normave, në mënyrë që të mos vijë puna te shtëmëngia dhe provokimi e me këtë edhe te thellimi i fronteve. Përfundimisht është mashtrim të besohet se pasardhësit e pranojnë dhe e zbatojnë një për një konceptin e jetës dhe vlerat e prindërve të tyre. Mund të ndodhë edhe e kundërta. Në veçanti kur të rriturit e lavdërojnë veten ose të tjerët si shembuj pozitivë. Kjo i irriton fëmijët dhe të rinjtë dhe jo rrallë ata distancohen nga kjo dhe tentojnë ta arrijnë pikërisht atë që të rriturit mëtojnë ta pengojnë. Për shembull, ai që kërkon një përpikëri të theksuar, ka mundësi ta përjetojë situatën kur adoleshenti me siguri dhe qëllimshëm të paraqitet me vonesë në takimet e caktuara.

“E dobishme është që bashkë me fëmijën të kërkohet ajo që qëndron pas një sjelljeje të caktuar, domethënë të tregohet mirëkuptim ndaj fëmijës, thjesht pa e shtyrë atë të mbrohet për çështje negative”, thotë Daniel Süss, profesor i psikologjisë mediatike dhe i shkencës së komunikimit pranë Shkollës së Lartë të Shkencave Aplikative në Cyrih dhe pranë Universitetit të Cyrihut. “Fëmijët nuk janë të dëgjueshëm ndaj prindërve të tyre thjesht ngase u frikohen dënimeve, porse nga arsyeja se ata duan ta ruajnë raportin e mirë me nënën dhe babanë. Prandaj, prindërit duhet të ndërmarrin diçka të përbashkët me fëmijët e tyre, por atyre duhet lënë edhe hapësira të lira, ku ata do të mund t’i zhvillojnë anët e tyre të forta dhe interesimet, pa u rrezikuar ata vetë.”

Adoleshentët kanë nevojë për rregulla, mirëpo për dallim nga instruksionet e fëmijërisë së hershme “këto rregulla duhet të negociohen bashkë me ta dhe jo thjesht t’u diktohen atyre”, vazhdon Süss. “Të rinjtë dhe të rejat duhet ta ndiejnë se po merren seriozisht nga të rriturit dhe se po mbështeten në marrjen e vetëpërgjegjësisë. Fëmijët nuk i respektojnë gjithnjë rregullat, të rinjtë akoma më pak – kjo bën pjesë në zhvillimin e shëndoshë të autonomisë së tyre.” Me këtë rast, të rinjtë që përjetojnë një kujdes të tepruar ose një mbikëqyrje autoritare nga ana e prindërve, bëhen shpesh frikacakë ose rebelë. Pra, këtu ka nevojë për një rrugë të mesme, e cila lejon një shpërthim nga përditshmëria. Adoleshentëve u ndihmon shumë kur e vërejnë se prindërit e tyre këtu janë sikur një liman i sigurt për ta dhe se ngelin në dialog me ta.

Dhurojuni fëmijëve tuaj vëmendjen e plotë

Shkencëtarët si sociologu dhe gjenetiku Michael Shanahan nga Jacobs Center for Productive Youth Development pranë Universitetit të Cyrihut theksojnë se rrethanat sociale dhe ndikimet e mjedisit janë determinuese për zhvillimin e fëmijëve. Ai i këshillon prindërit që, po qe e nevojshme, ta pakësojnë stresin e përditshmërisë dhe në raport me fëmijët e tyre të jenë jo thjesht vetëm pranë, por vërtet të pranishëm.

Kjo shpesh nuk është edhe aq kollaj, kur dihet se prindërit shpeshherë janë nën presion, se kanë punë për të kryer, se gjithnjë ka diçka për të bërë, se nuk është vetëm lodhja nga puna ajo që nuk e lejon prindin të pushojë pas orarit të punës, porse edhe mbarë përditshmëria familjare duhet të planifikohet e të organizohet. Këtu nuk duhet harruar detyrat e shtëpisë, renditjen e banesës, zierjen e ushqimit, pastrimin… herë pas here edhe hedhjen e një shikimi në celular në mënyrë thuajse refleksive, madje edhe në një kohë kur ata janë bashkë me fëmijët. “Mirëpo nëna dhe babai duhet të jenë plotësisht aty”, thotë Allan Guggenbühl, drejtor i Departamentit për psikoterapi grupore për fëmijë dhe të rinj pranë Entit për këshillim edukativ të qytetit të Bernës si dhe drejtor i Institutit për menaxhim të konflikteve në Cyrih, “madje edhe kur për të rriturit ndonjëherë është e mërzitshme të jenë bashkë me fëmijët në këndin e lojërave ose në dhomën e fëmijëve. Vajzat dhe djemtë zhvillohen me anën e lojërave dhe marrëzive dhe kështu e përjetojnë vetveten dhe mjedisin. Jo gjithmonë kjo botë është e arritshme për ne, mirëpo ne duhet ta shfrytëzojmë mundësinë që bashkërisht të vijmë në rrjedhë.” Kjo shtendos dhe krijon afërsi.

Megjithëkëtë nuk janë vetëm prindërit ata që mund të shërbejnë si shembuj në jetën e fëmijëve, alternativat janë më të mëdha se kaq. Allan Guggenbühl lidhur me këtë mendon se ne si nënë dhe baba në fakt jemi ata që mund t’ua tregojmë fëmijëve tanë drejtimin, mirëpo është pothuajse e pamundshme ta drejtojmë dhe aq më pak ta paracaktojmë rrugën që do ta marrin fëmijët tanë: “secili fëmijë ka botën e tij të brendshme, akoma të pahulumtuar, të koklavitur e nganjëherë si një xhungël. Bota e brendshme është një mister, fëmijët dhe të rinjtë duhet fillimisht të njoftohen me njëri-tjetrin, janë në kërkim e sipër. Ka emocione dhe pasione që ata akoma nuk mund t’i kuptojnë, herë ndihen kështu e herë ndryshe. Secila ditë është një sfidë e re për ta dhe ata kanë nevojë për mbështetje për ta tejkaluar krejt këtë.”

Kini besim te fëmijët tuaj

Të jesh shëmbëlltyrë është një gjë e bukur por edhe e lodhshme në të njëjtën kohë: “Marrë në përgjithësi fëmijët bëjnë një lloj psikanalize me prindërit e tyre”, pohon Guggenbühl. “Këtu shkohet në thellësi dhe kjo na shpie më tutje! Sepse jo vetëm fëmijët piqen në praninë tonë, por edhe ne zhvillohemi më tutje bashkë me ta.” Dhe përfundimisht nevojitet besueshmëria e prindërve te fëmija i tyre si dhe qëndrimi bazë ndaj tyre: “Ashtu siç je, je si duhet – dhe ti do të ecësh rrugës sate.”

Nga gjermanishtja:
Rejhan Neziri

/el-hikmeh.net