Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Irakut të ushtrojë përmbajtje maksimale mes protestave në vazhdim, si pasojë e të cilave deri më tani janë raportuar të paktën 21 të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).
“BE pret që forcat irakiane të sigurisë të ushtrojnë përmbajtje maksimale në trajtimin e protestave dhe protestuesit të mbajnë protesta paqësore”, tha Komisioni i BE-së në një deklaratë me shkrim.
Komisioni i BE-së tha se deklarata e lëshuar nga kryeministri irakian, Adel Abdul Mahdi, i cili pohon të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për lirinë e shprehjes, vërteton kërkesat e ligjshme të protestuesve dhe është “në drejtim të duhur”.
“BE mbështet fillimin e një hetimi mbi ngjarjet, që duhet të jetë i besueshëm dhe i shpejtë”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i Komisionit të BE-së vjen pasi u shtua numri i viktimave në protestat anti-qeveritare në Irak, të cilat filluan të martën për të kërkuar përmirësimin e kushteve të jetesës dhe fundin e korrupsionit.
“Ngjarjet në Irak janë një dëshmi më shumë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e popullit irakian, veçanërisht përmes reformave të besueshme dhe efektive ekonomike. BE është e gatshme të mbështesë përpjekjet në këtë drejtim”, tha BE.
Forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj protestuesve për t’i shpërndarë ata, duke shkaktuar viktima masive.
Autoritetet irakiane sot vendosën një orë policore në Bagdad në përpjekje për të parandaluar protestat.
Ndërkohë, orët policore u paralajmëruan edhe në provincat Dhi Qar dhe Maysan, si dhe në qytetin Najaf.








