Kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj e ka kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila të enjten vendosi që për një afat të pacaktuar t’ua ndalojë hyrjen në Kosovë gjithë zyrtarëve serbë. Derisa nga Qeveria thonë se ata nuk kanë marrë një vendim të tillë, MPJ-ja nuk është stepur nga ky vendim. Vlerësohet se mosunifikimi i dikastereve qeveritare me kryeministrin për vendime të tilla e dëmton rëndë pozitën e Kosovës në raport me Serbinë, shkruan gazeta “Zëri”.
Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn dhe Ministria e Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, të premten janë “përplasur” në lidhje me vendimin e MPJ-së për ndalimin e hyrjes në Kosovë të të gjithë zyrtarëve serbë.
Nga MPJ-ja thonë se këtë vendim e kanë marrë si kundërpërgjigje ndaj katastrofës së orkestruar humanitare në veri të Mitrovicës, por Qeveria e Kosovës është deklaruar se nuk është në dijeni për këtë veprim të MPJ-së.
“Pas raportimeve të fundit dhe adresimit të shumë medieve me pyetje rreth deklaratave për ndalesën e hyrjes në Kosovë për qytetarët serbë, njoftojmë opinionin se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka marrë një vendim të tillë.








