Tëhuazimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Daut Dauti

Kriza e Maqedonisë doli në sipërfaqe me Kryengritjen e Ilindenit, e cila u zhvillua në gusht të vitit 1903. Nga kjo rezultoi Republika e Krushevës, që nxori një kuvend dhe një qeveri të përkohshme. Që të dy këto institucione kishin numër të barabartë të anëtarëve. Kuvendi kishte 20 anëtarë shqiptarë, 20 maqedonë dhe 20 vllahë. Nga dy anëtarë të këtyre bashkësive kishte edhe qeveria.

Daut DAUTI, Londër

Pas Kongresit të Berlinit (1878), mbledhjes më të madhe diplomatike që kishte parë Europa deri atëherë dhe e cila nuk e mori parasysh çështjen shqiptare, rilindësit shqiptarë e shtuan aktivitetin e tyre patriotik në Maqedoni. Udhëheqësit shqiptarë u aktivizuan për dy arsye. Arsyeja e parë ishte fakti që ky kongres paralajmëroi përfshirjen e vendeve fqinje (Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë) në çështjen e Maqedonisë, kurse fakti i dytë ishte numri dominues i banorëve shqiptarë në pjesën qendrore, sidomos në atë perëndimore të këtij rajoni. Prandaj, udhëheqësit shqiptarë planifikonin që kufijtë e shtetit të ardhshëm shqiptar duhej të vendoseshin diku në Maqedoni. Kjo ishte edhe arsyeja që ata organizuan kryengritje, por edhe ngjarje të rëndësishme kulturore e politike në Maqedoni. Madje, planifikohej që Shkupi të bëhej kryeqyteti i shtetit të ardhshëm shqiptar.

Kriza e Maqedonisë doli në sipërfaqe me Kryengritjen e Ilindenit, e cila u zhvillua në gusht të vitit 1903. Nga kjo rezultoi Republika e Krushevës që nxori një kuvend dhe një qeveri të përkohshme. Që të dy këto institucione kishin numër të barabartë të anëtarëve. Kuvendi kishte 20 anëtarë shqiptarë, 20 maqedonë dhe 20 vllahë. Nga dy anëtarë të këtyre bashkësive kishte edhe qeveria. Pra, ajo që tregojnë shifrat, është barazia që këta popuj kishin proklamuar si fakt dhe pranuar si nevojë të domosdoshme që dilte nga realiteti politik që e nxirrte në pah faktori gjeografik dhe demografik. Kryengritja nuk do të bëhej pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, për shkak se ata e kontrollonin armatimin dhe logjistikën në rajon.

Më vonë, për shkak të përzierjes së Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë, gjërat u zhvilluan aq keq, saqë u harrua barazia e proklamuar. Këto tri shtete e minuan idenë e Republikës së Krushevës dhe kryengritja, në vend që të ishte kundër pushtetit osman, u shndërrua në vrasje e masakra të këtyre grupeve që ushtruan ndaj njëra-tjetrës. Për ta komplikuar gjendjen edhe më tej, kryengritësit e mbështetur politikisht dhe me pajisje ushtarake nga fqinjët, ushtruan masakra edhe ndaj myslimanëve. Prandaj, në Europë Maqedonia filloi të shihej si vend i një konflikti të komplikuar të të krishterëve me myslimanët. Dhe, dihej se në cilën anë ishte Europa.

Pos Edith Durhamit dhe Aubrey Herbertit, të rrallë ishin tjerët që bënin me dije se Maqedonia ishte problem i kombeve e jo problem religjioz. Madje, Durhami dhe Herberberti, duke bërë me dije se problem kryesor i Maqedonisë ishte injorimi i çështjes shqiptare, e identifikuan dhe e shpjeguan këtë çështje në thelb. Megjithatë, numri i opinionbërësve dhe vendimmarrësve në politikë, që mendonin ndryshe, ishte më i madh.

Kur fuqitë europiane u mblodhën në qershor të vitit 1908 në Reval, çështja u komplikua edhe më shumë pasi që reformat në Maqedoni nuk tregonin rezultate. Kjo ishte për arsye se vendet fqinje ishin kundër reformave dhe dëshironin ta mbanin Maqedoninë në krizë të përhershme dhe në këtë mënyrë të vërtetonin se Perandoria Otomane ishte “E sëmura e Bosforit”, një shprehje që e kishte lansuar në qarkullim ideologjia pansllave. Rusia merrte gjithnjë e më shumë të drejta të përzierjes në Ballkan përmes Maqedonisë. Kjo krijoi një shqetësim të madh te oficerët otomanë, të cilët u organizuan në një lëvizje sekrete, e cila në Europë filloi të quhej Lëvizja Xhonturke. Për shkak se krerët shqiptarë kishin arsye që të brengoseshin më së shumti për të ardhmen e Perandorisë Otomane, nga e cila gjë varej edhe fati i çështjes shqiptare, u organizuan në këtë lëvizje. Madje, Ibrahim Temo, një shqiptar ushtarak nga Maqedonia, ishte ndër të parët që u angazhua në këtë lëvizje dhe për këtë arsye historia e njeh si “Xhonturku Numër Një”, për shkak se ai ishte anëtari i parë në qelizën e parë sekrete të kësaj organizate. Shqiptarët shihnin zgjidhje të çështjes së tyre kombëtare në këtë organizatë dhe iu bashkuan me numër të madh, sidomos ata ta Maqedonisë që kishin funksione ushtarake e politike në hierarkinë e perandorisë.

Dy oficerët udhëheqës kryesorë të Revolucionit Xhonturk, Enver Beu dhe Nijazi Beu, ishin shqiptarë nga Maqedonia. Pastaj, Revolucioni kulmoi në Ferizaj, por u bë për shkak të Maqedonisë që tani më ishte bërë thelbi i çështjes shqiptare. Kur triumfoi revolucioni, në Manastir u organizua paradë ushtarake dhe udhëheqësi, Nijazi Beu, hyri në qytet me ushtri në mënyrë ceremoniale, duke qenë i shoqëruar nga Çerçiz Topulli, udhëheqësi i gueriljes shqiptare, dhe nga Apostol Mijalkovski, udhëheqës i gueriljes maqedone. Ky veprim simbolizonte bashkëpunimin shqiptar-maqedon, si edhe barazinë e tyre. Në Selanik u ndriçua qyteti kur atje u kthye Enver Beu me ushtarët e tij si fitues nga Maqedonia.

Kur pas revolucionit u organizua Kongresi i Alfabetit (1908), Manastirin shqiptarët nuk e zgjedhën rastësisht si vend. Qëllimi i tyre ishte që bullgarëve, maqedonëve dhe tjerëve t’u bëhej me dije se ky qytet është brenda territorit shqiptar. Gjatë po atij viti, në Selanik, Mid’hat Frashëri filloi ta botonte gazetën “Lirija”. Nën titullin e gazetës si vend i botimit nuk figuronte qyteti Selanik, por shkruante “Botohet në mes të Shqipërisë”. Pra, udhëheqësit e asaj kohe bënin me dije se deri ku duhej ose, së paku, deri ku ata aspironin që të shtrihet kufiri i shtetit shqiptar.

Por, për fat të keq, çështja shqiptare vazhdoi të injorohej dhe dihet se si përfundoi shtrirja etnike e shtetit shqiptar. Pas okupimit të Maqedonisë nga Serbia dhe krijimit të Jugosllavisë, u bë më lehtë të imponohet injorimi i shqiptarëve. Shqiptarët e Maqedonisë u vranë në mënyrë masive, kurse një numër i madh i atyre që mbetën gjallë u përzunë nga shtëpitë dhe tokat e tyre. Në llogarinë e shtetit të ri jugosllav dhe në sytë e opinionit botëror çështja shqiptare pushoi së ekzistuar. Ky ka qenë qëllimi dhe, për fat të keq, kjo ide është përvetësuar edhe nga vetë shqiptarët. Edhe sot në tekstet historike dhe punimet shkencore të shqiptarëve Maqedonia nuk trajtohet si territor esencial i shqiptarëve. Nga Kosova, sidomos nga Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë injorohen dhe shpesh shihen me përbuzje. Ideja e injorimit të Maqedonisë si shqiptare ka krijuar efekt të tëhuazimit te shqiptarët mu ashtu siç është planifikuar.

Një qasje e këtillë, pa dyshim tërësisht e papranueshme, është bartur në mentalitetin e shumicës së politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e sotme, e cila së voni e mori shtesën “e Veriut”. Emërtimi i ri i këtij shteti u bë për shkak të presionit të shtetit grek. Por, nuk kishte asnjë presion ndaj Maqedonisë nga shteti shqiptar ose opinioni shqiptar, edhe pse ky vend historikisht dhe sot faktikisht përbën element të rëndësishëm shqiptar në vete, saqë ekzistenca e tij varet tërësisht nga disponimi i shqiptarëve.

Dështimi i faktorit politik shqiptar nga Tirana në Prishtinë e deri në Shkup shihet në gjendjen e pabarazisë së shqiptarëve në Maqedoni. Më së miri këtë gjendje e paraqet kushtetuta e këtij vendi, e cila nuk i njeh shqiptarët si shtetformues. Për këtë arsye, sipas kësaj kushtetute, shteti është rezultat i orvatjeve të maqedonëve për liri dhe pavarësi të Maqedonisë. Për të qenë ironia më e madhe, kushtetuta proklamon se Maqedonia e sotme është e bazuar në parimet e Republikës së Krushevës. Duhet përsëritur edhe një herë se në Republikën e Krushevës shqiptarët dhe maqedonët ishin të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, si edhe orvatjet dhe aktivitete e tyre. Nga ky fakt shihet se kjo kushtetutë e ka shkelur mu parimin kryesor mbi të cilin pretendon se është ngritur republika e re. Edhe më e pakuptimtë, dhe nga kjo edhe më e papranueshme, është fakti që kjo kushtetutë nuk e pranon përdorimin e termit “gjuha shqipe”. Në vend të gjuhës shqipe figuron shifra “20%”. Pra, shqiptarët janë shndërruar në shifër (20%) edhe pse regjistrimi i fundit tregon se ata përbëjnë 30% të popullsisë. Madje, edhe në arritjen e kësaj pike ku tashti gjenden shqiptarët, kishte refuzime që dilnin nga faktori politik maqedon. Faktori maqedon është sjellë sipas “zemërgjerësisë” së zotëriut ose sunduesit, duke e aplikuar parimin “të jap të drejta aq sa e shoh unë të arsyeshme”.

Problemi këtu bëhet më i madh për shkak se politikanët shqiptarë e kanë pranuar këtë relacion me maqedonët. Këta politikanë, sidomos partia në pushtet (BDI), duket se është e kënaqur me shpërblimet që ia japin me pozita në pushtet. Kjo gjë u pa me emërimin e Talat Xhaferit për kryeministër, që u paraqit si arritje e partisë në pushtet ose si sukses i saj në luftën e barazisë. Në realitet, pozita e një kryeministri në një qeveri teknike, e cila ka kompetenca dhe kohë të kufizuar, është e parëndësishme. Sikur Talat Xhaferi të dilte kryeministër nga zgjedhjet, gjërat do të ishin në rregull dhe për lëvdatë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për maqedonët. Por, ja që gjërat janë ndryshe.

Pra, është harruar zhvillimi i historisë politike të Maqedonisë, e cila flet në favor të barazisë së shqiptarëve me maqedonët. Në vend të kësaj barazie ende qëndron e pranuar ideja e injorimit të çështjes shqiptare. Pra, çështja zgjidhet sipas masës që mendojnë maqedonët se është e nevojshme për shqiptarët. Në rrethana të këtilla përfitojnë, kryesisht materialisht, vetëm ata që janë në pushtet ose afër tij. Kjo nuk e ndryshon gjendjen e pafavorshme të shqiptarëve në këtë vend. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ende janë të tëhuazuar. /revistashenja