Telenovela e verës mbyllet me fund të lumtur, Icardin kalon te PSG

Mbyllet me një fund të lumtur për të gjitha palët telenovela e kësaj vere. Mauro Icardi largohet zyrtarisht nga Interi pas 6 sezonesh me fanellën zikaltër në të cilët shënoi 124 gola në 219 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shkruan Supersport.al.

Sulmuesi argjentinas u transferua në formë huazimi me të drejtë blerjeje te Paris Saint Germain. Në arkat e Interit shkuan 5 milionë euro për huazimin 1-vjeçar ndërsa nëse do të vendosë ta blejë verën e ardhshme Paris Saint Germain do të paguajë edhe plot 65 milionë euro për një total prej 70 milionë eurosh.

Përpara se të hidhte firmën në kontratën 5-vjeçare me klubin parizien, Maurito rinovoi kontratën e tij me Interin deri në vitin 2022 duke e zgjatur edhe me një vit që në rast se PSG vendos të mos e blejë, atëherë Icardi edhe verën e ardhshme do të ketë edhe dy vite kontratë me zikaltrit dhe jo një.

Futbollisti argjentinas ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me kampionët e Francës, teksa në vitin e parë do të përfitojë një pagë prej 7 milionë eurosh e cila në 4 vitet e tjera nëse PSG ushtron të drejtën e blerjes do të shkojë në plot 10 milionë euro në sezon. Në këtë aventurë të re sulmuesi amerikano-jugor do të mbajë veshur fanellën me numër 18.