Terrorizoi gjithë Nju Jorkun, por nuk quhet terrorist

Nuk ishte aksident ajo që ndodhi në “Time Square” të Nju Jorkut të enjten. Personi që përplasi makinën e tij mbi një turmë njerëzish, duke vrarë një vajzë e duke plagosur 22 persona të tjerë, pretendon se “kishte dëgjuar zëra”.

Nga sa pohon “Associated Press”, Richard Rojas priste të dilte i vdekur nga kjo ngjarje. Edhe Reuters sqaron se pas prangosjes, i riu është shprehur se “supozohej ta kishin qëlluar”.

“Unë desha t`i vrisja ata njerëz”, citohet të ketë thënë ai. Ish-marinsi 26-vjeçar ishte ndaluar dy herë më parë nga policia për ngarje të mjetit në gjendje të dehur. Vajza që humbi jetën ishte 18 vjeç. Ajo quhej Alyssa Elsman dhe kishte ardhur nga Miçigani bashkë me familjen për të vizituar qytetin. Motra e saj 13-vjeçare mbeti gjithashtu e plagosur në ngjarjen e rëndë.

Rrugët e “Time Square” ishin të mbushura me turistë kur makina e Rojas u vërsul mbi njerëzit tërësisht jodyshues për atë që do të ndodhte më pas. Incidenti solli menjëherë në mendje sulmet me makina në Londër, Nisë e Berlin, por kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio këmbëngul se nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se bëhet fjalë për një akt terrorist.