Thaçi: Bashkimi Evropian me standarde të dyfishta për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Forumin për Siguri që është duke u mbajtur në Budva të Malit të Zi, ka thënë se pavarësisht pakënaqësive dhe vonesave që është duke i bërë BE-ja karshi Kosovës, e ardhmja e kësaj të fundit është në Bashkim Evropian.

Pos deklaratave për bashkim kombëtar, i pari i shtetit tha se duhet pasur durim që Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, njofton Klan Kosova.

“Pas sukseseve të jashtëzakonshme, Mali i Zi në NATO, Marrëveshja e Prespës, Ushtria Kosovës, unë jam optimist se rajoni është i sigurt në të ardhmen euroatlantike. Ka pakënaqësi për vonesën e BE-së. Qëndrimi i ngurtë i BE-së në raport me Kosovën për liberalizimin e vizave. Është absurd sepse i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Është vlerësim i standardeve të dyfishta në raport me Kosovën që ka sjellë pakënaqësi. Mirëpo ne e dimë se alternative e vetme është e ardhmja evropiane dhe NATO”.

“Të gjithë kemi mësuar nga e kaluara se ku ka quar nacionalizmi, çfarë tragjedish dhe pasojash, rajoni nuk është më në kohën e Dejtonit, as Kosova e Serbia sjanë në kohën e Rambujesë. Rajoni kurrë më mirë nuk ka qenë”.

“BE mos të lë vakum në Ballkanin Perëndimor. Ideologjitë joperëndimore mund ta shfrytëzojnë këtë vakum. Sa ma tepër vonohet BE, aq më tepër populizëm do të ketë në shtetet tona”, tha presidenti Thaçi në Forumin e Sigurisë “То be Secure” në Budva të Malit të Zi.