Thaçi kërkon nxjerrjen e një draftrezolute për bashkimin e Luginës me Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi sot është takuar me liderët politikë të Luginës së Preshevës.
Thaçi ka thënë se së bashku kanë pasur diskutime intensive dhe substanciale.

“Sot zhvilluam edhe një takim tepër të mirë shumë produktiv dhe jashtëzakonisht domethënës rreth prioriteteve për të ardhmen. Tani më është gjithçka e qartë që vullneti i deklaruar i shqiptarëve të Luginës është institucionalizuar përmes përfaqësuesve, kryetarëve të komunave tek institucionet e Kosovës për bashkëngjitje me Kosovën”, ka deklaruar presidenti, raporton lajmi.net.

Thaçi ka theksuar se këtë ide e ka mbështetur plotësisht.

“Deri dje e kam mbështetur fuqishëm sot e mbështes dhe punoj edhe më fuqishëm do jem i vendosur nesër edhe më tutje që kjo e drejtë të realizohet. Do bëjmë përpjekje maksimale që kjo padrejtësi historike të korrigjohet. Të gjithë në Kosovë pa dallime partiake politike duhet ta mbështesin të drejtën e Preshevës për bashkëngjitje”.

Sipas tij, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë një kauzë e përbashkët.

Po ashtu, presidenti ka thënë se përfaqësuesit e Luginës duhet të jenë pjesë e dialogut përfundimtar Kosovë-Serbi.

“Përfaqësuesit e Luginës duhet të jenë pjesë në dialogun përfundimtar Kosovë-Serbi për të diskutuar këtë proces transparent, besoj se këtë do ta përkrah qeveria e Kosovës dhe Parlamenti. Për t’i kontribuar realizimit sa më të shpejt duhet unitet edhe me Kosovë”.

Tutje, Thaçi ka propozuar nxjerrjen e një rezolute e cila jep mbështetje që kjo pjesë t’i bashkëngjitet Kosovës.