Thaçi: Kosova bëri dy hapa të mëdhenj këtë javë për të ardhmen e saj

Presidenti Thaci përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Kosova këtë javë ka bërë dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt. Këta dy hapa, presidenti Thaci ka thënë se ishin themelimi i ekipit përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin dhe arritja e marrëvëshjes për projektin “Kosova e re”.

“Kosova bëri dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt në paqe e prosperitet këtë javë. Hapi i parë ishte themelimi i Ekipit Përgatitor që do të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, si hap përmbyllës i kapitullit të luftës. Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin synon që duke promovuar dialogun në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë të arrijë pajtimin për dhimbjet e shkaktuara nga lufta dhe pajtimin që të mos përsëriten më kurrë ato vuajtje dhe shkatërrime.

Hapi i dytë ishte arritja e marrëveshjes për projektin “Kosova e Re”, që do të nënshkruhet nga palët më 20 dhjetor. Është ky investimi më i madh privat në historinë e Kosovës, prej rreth 1.3 miliardë euro, që do të krijojë 10.000 vende të reja të punës. Mbi të gjitha do të sigurojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe garantojë investimet e tjera në prodhim dhe ekonomi në përgjithësi. Janë hapa historikë që do të forcojnë paqen dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke kontribuar kështu edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

Kur kujtojmë se ku ishim dy dekada më herët, nuk mund të mos mburremi me të arriturat e popullit tonë dhe me përkushtimin për një shtet shembullor”, ka shkruar Thaci.