Thesar nga Suneti – Fragment

Shejkh Muhamed El-Gazali

Kujtoj njëherë, se dikush më tha: E meta jote është, se e përzien fenë me mendjen!!
I thashë: Mjerë për ty! A nuk është feja, veçse mendje e zgjuar e drejtë?
A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut për Profetin e Tij:
“Thuaj: Ju këshilloj për një (gjë) të vetme, të ngriheni për hir të Allahut, dy e nga dy, apo tek e tek, pastaj të mendoni..!” – (Kur’ani, Sebe: 46)
Feja, e cila nuk ka mendje me të, ajo është idhujtari, është trupëzim, është politeizëm, ndërsa myslimanët, atyre u ka bërë thirrje Allahu, duke u thënë:
“Kijeni frikë Allahun, o të zotët e mendjes, të cilët keni besuar; Allahu ka zbritur për ju përkujtues; të dërguar, që ju lexon ajetet e qarta të Allahut, për t’i nxjerrë, ata të cilët kanë besuar dhe bërë vepra të mira, nga errësirat në dritë!” – (Kur’ani, Et-Talak: 10)
Këto ajete na i ka përcjellë (kumtuar) Muhammedi, i Sinqerti Besnik, i kuptuan shokët e tij dhe e pasuan se si jetoi, si luftoi, si e këshilloi ymetin dhe si e fortifikoi atë kundër vesvesve dhe iluzioneve.
Në sunetin (traditën) e tij të ndritshme ka trashëgimi të vyer dhe urtësi tej mase, që ia shpjegon rrugën kujt të dëshirojë të ecë në atë rrugë, e që nuk mundet ta bëjë këtë, ai që i është vjedhë mendja dhe i ka fjetur truri:
“Me të vërtetë në këtë ka përkujtesë për atë, që ka zemër, apo është i vëmendshëm dhe është dëshmitar (prezent)..!” – (Kur’ani, Kaf: 37)
____________________
Shejkh Muhamed El-Gazali, nga libri “Kunuzun mines-sunne” (Thesar nga Suneti)
Nga: Lavdrim Hamja