Thuajse 1.4 milionë karta bankare në qarkullim

Pjesa dërrmuese e tyre janë me funksion cash-i, apo pagesash.

Numri i kartave bankare në tregun shqiptar ka njohur rritje të fortë gjatë këtij viti, por pjesa më e madhe e tyre vijon të përdoret vetëm për të tërhequr pagën. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të gjashtëmujorit të këtij viti, në Shqipëri përdoren 1,399,807 karta bankare në total, rreth 30 mijë më shumë se në fund të vitit 2022.

Pjesa dërrmuese e tyre janë me funksion cash-i, apo pagesash. Por mjaft i ulët mbetet raporti mesa kartave të kreditit, dhe ato të debitit, ku qytetarëve u kalohet kryesisht paga apo pensioni. Numri i kartave të debitit rezulton 1,213,863 në fund të gjashtëmujorit. Ndërsa në total numërohen 116,011 karta krediti, përmes të cilave klientët e bankave kreditohen nga bankat për të blerë produkte apo shërbime. Megjithëse janë shtuar 3,845 karta të reja brenda një viti, përdorimi i tyre mbetet ende i reduktuar.

Ndërkaq në rënie të lehtë ka ardhur për këta gjashtë muaj numri i kartave me funksion paraje elektronike, përmes të cilave kryhen kryesisht pagesat e faturave të vogla. Nga më shumë se 73 mijë në fund të vitit 2022, ato kanë rënë në 69,933 në gjysmën e dytë të këtij viti.

Ndërkaq, viti 2023 ka sjellë edhe një ndryshim në raportin mes kartave Master Card dhe Visa. Tregu shqiptar është dominuar për vite me radhë nga kartat Visa, tendencë që ka ndryshuar këtë vit. Për gjysmës e parë të këtij viti për herë të parë kemi më shumë karta Master Card se Visa, përkatësisht  701,584 kundrejt  698,207. Ndërkaq rënie drastike kanë shënuar Kartat American Express, të cilat nga mbi 20 mijë përpara 5 vitesh, janë redutkuar në 16 duke nisur nga viti 2022.

Ndërkaq, kanë qenë pagesat përmes parasë elektronike ato që kanë gjetur një zgjerim të fortë gjatë vitit 2023. Në gjysmën e parë të vitin janë regjistruar një numër rekord prej 6,908,509 transaksionesh me një vlerë prej rreth 48.8 miliardë lekësh apo afërisht 480 milionë eurosh. /SCAN