Tiranasit protestë në mbështetje të Ramush Haradinajt

Forumet rinore të partive kryesore politike në Shqipëri, të mbështetura edhe nga disa organizata të shoqërisë civile kanë organizuar sot një protestë para Ambasadës së Francës në Tiranë, në mbështetje dhe për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e protestës ishin edhe qytetarë të Tiranës, të cilët kërkuan lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit të Kosovës, i cili është arrestuar disa ditë më parë nga autoritetet franceze.

Në këtë protestë mbajtën fjalime drejtuesit e forumeve rinore politike të Partisë Socialistë të Shqipërisë, Partisë Demokratike të Shqipërisë, etj.

Eljo Hyska, kryetari i Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, u shpreh së janë bashkuar në këtë protestë për një kauzë të drejtë. “Sot ne kemi një kërkesë të drejtë dhe legjitime, lironi një njeri që ka luftuar për lirinë, që ka luftuar për drejtësinë, që drejtësinë e tij e ka marrë në shkallën më të lartë. Fqinjët tanë të çlirohen nga e shkuara, të çlirohen nga përpjekja për të përbaltur luftën e UÇK-së”, u shpreh ai.

Ndërsa kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Belind Këlliçi, iu bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të anuluar urdhërarrestin e Serbisë për Haradinajn.

“Më vjen mirë që sot jemi bashkë të gjithë drejtuesit e forumeve rinore politike në vend të bashkuar për një kauzë të drejtë. Të arrestosh Ramush Haradinajn është njësoj sikur ti shpallësh luftë një populli të tërë, një kombi të tërë. Ai është shpallur i pafajshëm për akuzat”, theksoi Këlliçi.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhërarresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.