Tjetër medalje për Kosovën, Flaka Loxha fiton të bronztën

Xhudistet kanë siguruar edhe një medalje për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë. Është Flaka Loxha që ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë.

Flaka ishte bartëse e tretë, ndërsa ditën e nisi keq. Humbi nga italiania Giulia Caggiano me Ippon. Dueli ishte çerekfinal dhe kështu Flaka e kishte rastin që përmes repesazhit të fitoi të bronztën. Dhe këtë e bëri.

Ajo u përgjigj me Ippon në luftën e dytë, duke e mposhtur spanjollen Maria Ruiz Muro. Për vend të tretë, Flaka Loxha u përball me turken Hasret Bozkurt, që ishte bartësja e pestë. Ndaj saj fitoi me hedhje në kohën shtesë. Lufta ishte e fortë, por Flaka shfaqi më shumë.

Për Flakën, 23-vjeçaren nga Peja, ky është prej sukseseve më të mëdha në karrierë. Ajo po fiton përvojën e duhur në nivelin e të rriturave. Vjet fitoi medalje të bronztë në Evropianin U23, ndërsa medalje të bronztë ka edhe në Evropianin e junioreve. Ka edhe suksese tjera te të rejat.

Të mërkurën ka garuar edhe Erza Muminoviq. Ajo kishte një fitore e dy humbje në kategorinë deri 48 kilogramë dhe mbeti pa medalje.

Të enjten e të premten garojnë edhe Loriana Kuka, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Arbër Kullashi e Shpati Zekaj. Dhe të tjera medalje priten prej nxënësve të trajnerit Driton Kuka.

Në Lojërat e kaluara Mesdhetare, Kosova përmes xhudos i kishte fituar katër medalje. Kjo shifër mund të tejkalohet në Oran.