Toyota e Japonisë, të martën, tha se ka ndaluar prodhimin në fabrikën e saj çeke për shkak të mungesës së pjesëve të shkaktuar nga një zjarr në një furnizues lokal, tha Tomas Paroubek, zëdhënës i prodhuesit të makinave për Reuters.
“Ne u desh të ndalonim prodhimin. Kjo sigurisht që do të ndikojë në planin tonë të prodhimit. Nuk është e qartë se sa do të zgjasë ndërprerja”, ka thënë Tomas, shkruajnë mediat e huaja.
Toyota ishte përballur me një problem të ngjashëm në shkurt të këtij viti. Fabrika prodhon rreth 1000 makina në ditë nga uzina çeke.
Republika Çeke është shumë e varur nga industria e automobilave, e udhëhequr nga Skoda Auto e Volkswagen. Hyundai gjithashtu ka një njësi prodhuese në vend.
E themeluar nga Kiichiro Toyoda në 1937, Toyota Motor Corporation është një prodhues shumëkombësh japonez i automobilave me seli në Toyota City, Aichi, Japoni.
Toyota operon 67 kompani prodhuese në mbarë botën ndërsa tregton automjete në më shumë se 170 vende dhe rajone në mbarë botën.