Tragjedia, transporti i kufomave do të vonohet

Pesë të mbijetuarit e tjerë nga tragjedia e autobusit në Bullgari do të transferohen në spitalet e Maqedonisë së Veriut në ditët në vazhdim, varësisht gjendjes së tyre shëndetësore. Në spitalin shtetëror “Pirogov” po trajtohen edhe 5 të lënduar, pasi gjatë ditës së djeshme një vajzë 17 vjeçe dhe një burrë 49 vjeç u sollën në spitalin e kirurgjisë plastike në Shkup. Ndërkohë nuk ka një datë të saktë se kur mund të sillen kufomat e viktimave për varrim në Shkup. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se sot takohet me familjarët e viktimave, që bashkërisht të bëjnë planin aksionar për pranimin e trupave të pajetë.

“Sot planifikoj të kontaktoj me familjarët, të shoh cilat janë pritjet e tyre lidhur me transportimin e trupave dhe procedurat e mëtejshme, që të mund të bëjmë planin aksionar, megjithatë komunikojmë edhe me autoritetet bullgare. Gjatë javës presim, por datën e saktë akoma nuk mund ta konfirmoj ”, tha Osmani.

Në Bullgari vazhdon procesi i identifikimit të kufomave në bazë të ADN-së. Edhe pse ishte paralajmëruar se ky proces do të përfundojë për 7 ditë, Ministri i Jashtëm Osmani paralajmëroi se mund të ketë vonesa dhe megjithatë të marrë më shumë kohë.

“Fillimisht ishte paralajmëruar që të jetë një javë pas ngjarjeve, por ka projeksione të ndryshme se mund të jetë një ditë më vonë, më pas deri në fund të javës. Kështu që nuk mund të themi saktë, pasi e gjithë kjo do të varet sipas zhvillimit të procesit të identifikimit në laboratori.”

Pas kontrolleve plotësuese, hetuesit bullgarë gjetën 45 kufoma në autobusin e djegur në Bullgari. Familjarët e viktimave të supozuar dhanë mostrat e ADN-së në Institutin për Mjekësi Ligjore në Shkup, të cilat u morën gjatë javës nga hetuesit bullgarë. Duke përdorur mostrat e ADN-së të familjarëve, do të përcaktohet identiteti i kufomave të gjetura në autobus. Ato duhet të sillen në mënyrë të organizuar nga Maqedonia e Veriut, pas çka do tu dorëzohen familjarëve për varrim. /shenja