Një fitore kundër arrogancës së Trump-it dhe që gëzoi zemrat e miliona njerëzve në botën muslimane
Fitorja e Spanjës në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës nuk u përjetua vetëm si një triumf futbollistik. Për miliona njerëz në mbarë globin, ajo u kthye në simbol të dinjitetit, respektit dhe qëndrueshmërisë përballë presionit politik.
Ishte një mbrëmje ku gjuha universale e futbollit u ndërthur me mesazhe që shkuan shumë përtej rezultatit në tabelë. Në stadiumin “New York New Jersey”, ishte presidenti amerikan Donald Trump ai që dorëzoi trofeun kapitenit spanjoll Rodri.
Ironia ishte e dukshme. Për muaj me radhë, Trump kishte sulmuar publikisht Spanjën, duke e cilësuar “një vend të keq e të pashpresë”. Ai e kishte sulmuar qeverinë e Madridit për shpenzimet e pakta ushtarake dhe moslejimin e përdorimit të bazave ushtarake në luftën e tij ndaj Iranit, duke kishte kërcënuar me masa tregtare.
Megjithatë, në fund të finales, presidenti amerikan u detyrua të përshëndeste pikërisht skuadrën e vendit që kishte kritikuar vazhdimisht. Fotografia e Rodrit me Kupën e Botës në duar, ndërsa Trump dhe presidenti i FIFA-s Gianni Infantino qëndronin pranë tij, u bë një nga imazhet më domethënëse të këtij Botërori.
Në kampin spanjoll askush nuk pranoi ta kthente suksesin në një përplasje politike. Futbollistët këmbëngulën se kishin ardhur në Amerikën e Veriut vetëm për të luajtur futboll. Megjithatë, ishte e pamundur të injoroheshin tensionet e muajve të fundit mes dy vendeve.
Vetë sulmuesi Borja Iglesias kishte lënë të kuptohej para finales se lojtarët ishin të vetëdijshëm për klimën politike, edhe pse nuk dëshironin ta shndërronin atë në motivin kryesor të suksesit.
Por nëse në fushë Spanja fitoi me talent, jashtë saj fitoi me mënyrën se si perceptohej në botë. Në muajt dhe vitet e fundit, qeveria spanjolle është dalluar për një politikë të hapur në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare dhe të popullit palestinez.
Njohja zyrtare e Shtetit të Palestinës në vitin 2024 dhe thirrjet e vazhdueshme për armëpushim, mbrojtje të civilëve dhe zgjidhje paqësore i dhanë Spanjës një reputacion krejt të veçantë në shumë vende me shumicë muslimane.
Pikërisht për këtë arsye, gjatë gjithë turneut, mbështetja për “La Roja”-n u rrit ndjeshëm në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Azinë Jugore dhe komunitetet muslimane në mbarë botën. Nga Kazablanka deri në Aman, nga Stambolli deri në Kuala Lumpur, rrjetet sociale u mbushën me flamuj spanjollë dhe mesazhe mbështetjeje.
Për shumë tifozë, Spanja nuk përfaqësonte vetëm një skuadër spektakolare futbolli. Ajo mishëronte një vend që kishte zgjedhur të fliste hapur për drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e civilëve, edhe kur kjo sillte kosto diplomatike.
Në këtë kuptim, triumfi i Botërorit mori një dimension shumë më të gjerë. Ishte një fitore që u interpretua si një përgjigje ndaj retorikës së përçarjes dhe arrogancës, duke treguar se respekti ndërkombëtar fitohet jo vetëm me fuqi ekonomike apo ushtarake, por edhe me qëndrime që frymëzojnë besim.
Edhe vende të tjera evropiane kanë dhënë sinjale të ngjashme. Për shembull, Federata Norvegjeze e Futbollit vendosi që të ardhurat nga një ndeshje kualifikuese kundër Izraelit t’i dhuronte për ndihmë humanitare në Gaza përmes organizatës “Mjekët pa Kufij”, duke deklaruar se sporti nuk mund të qëndrojë indiferent përballë vuajtjeve të civilëve.
Për kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, identiteti i vendit nuk ndërtohet vetëm mbi fitoret sportive. Në mesazhin e tij para finales, ai theksoi se Spanja dëshiron të fitojë “me përulësi dhe respekt për kundërshtarin”, duke e konsideruar talentin kolektiv dhe solidaritetin si vlerat më të mëdha të kombit.
Në fund, Botërori i këtij viti do të mbahet mend për golat, emocionet dhe spektaklin në fushë. Por për miliona njerëz, sidomos në botën muslimane, ai do të kujtohet edhe si momenti kur një komb fitoi jo vetëm trofeun më të madh të futbollit, por edhe admirimin e atyre që panë tek Spanja një zë të drejtësisë dhe humanizmit.
Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse triumfi i Spanjës do të jetojë shumë më gjatë sesa një finale futbolli. Sepse në sytë e miliona tifozëve, ai u bë dëshmi se fitoret më të mëdha janë ato që tejkalojnë kufijtë e fushës së blertë. \tesheshi







