Trump kërcënon Irakun

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Irakun me sanksioneve të ashpra, nëse vihen në jetë thirrjet  e parlamentit vendas për dëbimin e trupave amerikane.“Ne kemi atje një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë. Ka kushtuar miliarda dollarë për ta ndërtuar. Do të largohemi vetëm nëse na i kthejnë mbrapsht ato para”, u tha ai gazetarëve.

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta pas vrasjes së gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani  në Bagdad javën e kaluar. Irani është zotuar se do të “hakmerret ashpër”. Kreu 62 vjeçar i njësisë elitë Quds, koordinonte operacionet ushtarake iraniane në Lindjen e Mesme, por nga Shtetet e Bashkuara shihej si terrorist. Ajo çfarë ka mbetur prej trupit të tij është kthyer në vendlindje dhe mëngjesin e sotëm, rrugët e Teheranit u mbushën me njerëz që vajtonin. Lutjen e drejtoi lideri shpirtëror i vendit, Ajatollahu Ali Khamenei, i cili u përlot përpara arkëmortit të atij që konsiderohej si njeriu i vet i besuar.

E bija e Sulejamnit, Zeinab, i paralajmëroi shtetet e bashkuara se “ditë të zeza i presin“, ndërsa kreu i ri i forcës Quds u zotua të lëvizë çdo gur që Shtetet e Bashkuara të largohen nga Lindja e Mesme.” Ne premtojmë të ndjekim rrugën e martirit Sulejman me të njëjtën forcë, dhe i vetmi kompensim për ne do të jetë ta heqim Amerikën nga rajoni”, tha në një mesazh radiofonik Esmail Qaani. Sulmi që vrau Sulejmanin i mori jetën edhe Abu Mahdi al-Muhandis, një figurë e rëndësishme ushtarake irakiane që komandonte grupin Kataib Hezbollah, të mbështetur nga republika islamike./tch