Presidenti Donald Trump ka thënë se nuk do të lejojë që SHBA të bëhet një “kamp emigrantësh”, pasi administrata e tij u përball me kritika të ashpra për ndarjen e fëmijëve të emigrantëve nga prindërit e tyre, në kufirin me Meksikën.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë një kamp emigrantësh -tha Presidenti në Shtëpinë e Bardhë- dhe nuk do të jetë një objekt i mbajtjes së refugjatëve”, shkraun BBC.
Trump tha të hënën se “ju po e shikoni çfarë po ndodh në Europë dhe në vendet e tjera dhe kjo nuk mund të ndodhë në SHBA”.
Rreth dy mijë fëmijë janë ndarë nga prindërit nga mesi i muajit prillit dhe deri në fund të majit.
Kjo ka ndodhur nga politika e “tolerancës zero” e ndjekur nga administrata e Trump. Si rezultat, qindra fëmijë janë duke u vendosur në qendrat e paraburgimit.
Më parë ai tha se vendet europiane kishin bërë një gabim të madh duke lejuar miliona emigrantë. Ai kritikoi në veçanti kancelaren Angela Merkel, duke thënë se njerëzit e saj ishin kthyer kundër për shkak të kësaj çështje.
Kancelarja Merkel është në një debat me ministrin e saj të Brendshëm Horst Seehofer, i cili është shprehur për refuzim të emigrantëve që janë regjistruar për azil diku në një vend të Europës.