Trump paralajmëron regjimin e Asadit të mos sulmojë Idlibin

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad të mos ndërmarrë sulme të pamatura në Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).

“Rusët dhe iranianët do të bënin një gabim të madh humanitar nëse marrin pjesë në këtë tragjedi të mundshme njerëzore”, porositi Trump në një postim në Twitter.

Trump paralajmëroi se gjatë sulmeve në Idlib do të vriteshin qindra mijëra njerëz. “Mos lejoni që të ndodh kjo”, porositi Trump.

Idlibi është provincë siriane e njohur si kështjella dhe enklava më e madhe e opozitës siriane. Rreth katër milionë banorë të këtij rajoni druajnë se forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad mund të fillojnë sulme të reja.

Bëhet fjalë për rajon të rëndësisë strategjike, ku përleshje të reja mund të shkaktojnë valë të re të refugjatëve drejt Turqisë dhe Evropës.