Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se qeveria siriane ka kapur përsëri të gjithë të burgosurit e ISIS-it (DEASH) që ishin arratisur pas lirimit nga grupi terrorist YPG/SDF, duke e kreditizuar bashkëpunimin e Washingtonit me Damaskun, transmeton Anadolu.
“Duke punuar me qeverinë e Sirisë dhe udhëheqësin e ri të Sirisë, ata kapën të gjithë të burgosurit dhe i kthyen në burg” u shpreh ai për “New York Post”, duke përshkruar të burgosurit si disa nga më të rrezikshmit në nivel global.
“Bëmë një punë të mirë me Sirinë… të burgosurit evropianë po arratiseshin dhe e ndalova”, shtoi Trump.
Presidenti amerikan mbrojti ndarjen e shkëmbimeve konfidenciale me Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke thënë se ata e lavdëruan punën e tij për ndalimin e arratisjes të orkestruar nga grupi terrorist.
Kreu i NATO-s i tha presidentit amerikan: “Ajo që arritët sot në Siri është e jashtëzakonshme”, ndërsa Macron shkroi: “Jemi plotësisht të një mendjeje për Sirinë”.
Të burgosurit e ISIS-it u liruan nga grupi terrorist YPG/SDF nga burgu Al-Shaddadi në provincën verilindore të Hasakah, sipas Ministrisë së Brendshme të Sirisë, e cila e mbajti përgjegjëse organizatën terroriste.
Ministria kishte njoftuar më parë se 81 nga 120 të arratisurit ishin kapur.
Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, njoftoi të dielën një armëpushim dhe marrëveshje për integrimin e plotë të grupit terrorist YPG/SDF në institucionet shtetërore.

