“Trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Siri”

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Siri, raporton Anadolu.

Sipas tij, presidenti amerikan, Joe Biden, iu përgjigj “shpejt dhe me guxim” sulmeve ndaj objekteve ushtarake në Siri.

“Ky ishte një sulm serioz nga grupet militante. Ndërkaq presidenti u përgjigj ndjeshëm, shpejt dhe me guxim, për t’u përballur me to”, tha Kirby në emisionin televiziv CBS.

Ai theksoi se ka më pak se 1.000 ushtarë amerikanë në Siri dhe se ata po punojnë për të neutralizuar terroristët e DEASH-it.

Kirby tha se aktivitetet e terroristëve të DEASH-it janë ulur ndjeshëm në Siri, por se trupat amerikane do të qëndrojnë në shërbim në atë vend.

Ai deklaroi se Biden është “absolutisht i vendosur” për të mbajtur trupat amerikane në Siri.

Kirby foli gjithashtu për mundësinë e përgjigjeve shtesë, nëse Biden e sheh të nevojshme, ndaj sulmeve të 23 marsit nga grupet e mbështetura nga Irani ndaj personelit dhe objekteve amerikane në Irak dhe Siri.

“Me këtë rast treguam se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë gjithmonë me vendosmëri për të mbrojtur popullin tonë”, tha Kirby.

Disa burime në kushte anonimiteti thanë për Anadolu, se të premten mbrëma u kryen rreth njëzet sulme me raketa nga rajoni ku grupet e mbështetura nga Irani ishin të pranishme në fushat e naftës Al-Omar dhe Kuniko, ku janë vendosur forcat amerikane.

Forcat amerikane të vendosura në këto fusha thuhet se i janë kundërpërgjigjur zjarrit ndaj bazave ushtarake që strehojnë grupe të mbështetura nga Irani.

Grupet terroriste të mbështetura nga Irani sulmuan fushat e naftës Al-Omar dhe Kuniko me dronë dhe raketa të enjten. Një ditë më vonë, SHBA-ja nisi sulmet ajrore kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Sirinë lindore në përgjigje të sulmit me dron që vrau një dhe plagosi pesë pjesëtarë të ushtrisë amerikane.