​Truri i njeriut ka këto ‘epoka’ të dallueshme gjatë një jete, zbulon studimi

Për herë të parë, shkencëtarët thanë se kanë identifikuar katër pika kthese të dallueshme midis këtyre fazave në një tru mesatar: në moshat 9, 32, 66 dhe 83- vjeç.

Gjatë çdo epoke midis këtyre viteve, truri ynë tregon karakteristika dukshëm të ndryshme në arkitekturën e trurit, thonë ata.

Gjetjet, të botuara të martën në revistën Nature Communications, sugjerojnë që njohja njerëzore nuk rritet thjesht me moshën deri në një kulm, pastaj bie. Në fakt, faza nga mosha 9 deri në 32-vjeç është e vetmja kohë në jetë kur rrjetet tona nervore po bëhen gjithnjë e më efikase, sipas studimit, raporton KosovaPress.

Gjatë fazës së moshës madhore, nga 32 deri në 66-vjeç, arkitektura e trurit të një personi mesatar stabilizohet në thelb pa ndryshime të mëdha, në një kohë kur studiuesit mendojnë se njerëzit në përgjithësi po qëndrojnë në një nivel të qëndrueshëm në inteligjencë dhe personalitet.

Në vitet pas pikës së fundit të kthesës – 83 vjeç e lart – truri bëhet gjithnjë e më i varur nga rajonet individuale, ndërsa lidhjet midis tyre fillojnë të zbehen.

“Nuk është një progresion linear,” tha Alexa Mousley, një bashkëpunëtore studiuese postdoktoratë pranë Universitetit Kembrixhi, e cila është autorja kryesore e studimit. “Ky është hapi i parë i të kuptuarit të mënyrës se si luhatet ndryshimi i trurit në bazë të moshës.”

Gjetjet mund të ndihmojnë në identifikimin e arsyeve pse shëndeti mendor dhe gjendjet neurologjike zhvillohen gjatë fazave të veçanta të rilidhjes.

Për hulumtimin e tyre, Mousley dhe kolegët e saj analizuan skanimet me difuzion MRI – të cilat në thelb janë imazhe se si lëvizin molekulat e ujit brenda trurit – nga rreth 3,800 njerëz nga mosha 0 deri në moshën 90-vjeç. Qëllimi ishte të hartoheshin lidhjet nervore në të gjithë trurin e një personi mesatar në faza të ndryshme të jetës.

Bazuar në skanimet MRI, studimi i ri harton rrjetin nervor të një personi mesatar gjatë gjithë jetëgjatësisë, duke përcaktuar se ku po forcohen ose po dobësohen lidhjet. Pesë “epokat” që përshkruan bazohen në lidhjet nervore që vëzhguan studiuesit.

Faza e parë është nga 0-9 vjeç, sugjerojnë ata. Truri rritet me shpejtësi në lëndë gri dhe të bardhë; ai shkurton sinapse shtesë dhe ristrukturon veten. Nga mosha 9-32 vjeç, ka një periudhë të zgjatur ri-lidhjeje. Truri përcaktohet nga komunikimi i shpejtë në të gjithë trurin dhe lidhjet efikase midis rajoneve të ndryshme.

Shumica e çrregullimeve të shëndetit mendor diagnostikohen gjatë kësaj periudhe kohore, tha Mousely.

Nga mosha 32 deri në 66-vjeç, truri bie në një nivel të qëndrueshëm, por ri-lidhet më ngadalë. Pastaj, nga mosha 66 deri në moshën 83-vjeç, truri tenton drejt “modularitetit”, ku rrjeti nervor ndahet në nën-rrjete shumë të lidhura me më pak integrim qendror. Në moshën 83-vjeç, lidhja bie më tej.