Tu bëfsha kurban o njeri!

Unë jam njeri dhe i gjendem pranë çdo njeriu. Kjo është detyra ime karshi kujtdo që mban emrin njeri, por jo vetëm. Unë i gjendem pranë dhe një kafshe, duke e shpëtuar viktimën nga agresori.

Për t’iu gjendur dikujt pranë dhe për të ndihmuar dikë në hall, bëhet pa kontrolluar kartën e tij të identitetit dhe pyetjes se cilës fe apo ideologji i përket.

Vallë a mund të përballemi me çdo sjelljeje agresive mbi planetin tonë të ndryshimeve? A mund ti qëndrojmë pranë një hallexhiu, pa hetuar nëse mban në qafë kryq dhe pa e vështruar me bisht të syrit, nëse në ballin e tij ka shenja sexhdeje?

Na mjafton që ajo është një dorë prej gjaku e mishi, e cila dridhet dhe mezi pret të qetësohet e ti kthehet normalitetit. Na mjafton si arsye për ta ndihmuar, që ajo është një fytyrë e tronditur, të cilën duam ta shohim të buzëqeshur dhe të qetë.

Unë jam njeri… Me të parë një njeri që keqtrajtohet në rrugë, ose që i janë vardisur një bandë hajdutësh ordinerë, bëj gjithçka për ta ndihmuar dhe në ato çaste, as që dua t’ia di për identitetin e tij apo fenë. Ashtu siç nuk dua t’ia di për identitetin e hajdutëve dhe fenë e tyre, nëse ia vlen tu vihet fre apo jo. Zullumit nuk i lipset kartë identiteti për ti shpallur luftë, pasi si njerëz, jemi krijuar të tillë që e urrejmë atë. Po ashtu, neve nuk na kërkohet të zhbirojmë në zemrat e njerëzve për të vënë drejtësinë, pasi natyra jonë njerëzore, është e lidhur ngushtë me drejtësinë, e dashuron atë dhe ndjehet mirë pranë saj.

Unë jam njeri…bëj çmos që viktima të marrë të drejtën që i takon, sakaq agresori të ndëshkohet. Ndihma ime në këtë rast, nuk kushtëzohet fare me përkatësinë fetare të viktimës, s’kam nevojë ta pyes nëse është mysliman apo i krishterë. Ndihma dhe mbështetja është një obligim për të gjithë ata që i besojnë thelbit të mesazheve hyjnore dhe bëjnë çmos për praktikimin e vlerave, të cilat e lartësojnë njeriun, e kuptojnë që vlerave humane që u besojnë janë fetare apo jo. Prandaj, kushdo që zbaton drejtësinë, bën çmos ti shpëtojë njerëzit nga padrejtësia dhe u përmbahet parimeve morale, e meriton ndihmën time, edhe pse mund të mos i përkasë fesë time. Sakaq, ai që jeton i zhytur në zullum, që shkel me këmbë të drejtat e të tjerëve, meriton armiqësinë time, edhe pse mund ti përkasë të njëjtës fe me mua.

Fetë nuk janë slogane, me të cilat identifikohen ithtarët e tyre. Jo çdokush që thotë se është i krishterë është besimtar i vërtetë, ashtu siç nuk është mysliman i vërtetë çdo kush që thotë se Muhamedi ishte profet.

Përmbajtja dhe thelbi i feve janë vlera morale dhe sjellje të hijshme. Kushdo që i mishëron në jetë, ka realizuar objektivin e fesë. Edhe pse mund të mos e dijë se janë vlera fetare, lidhur me jetën e kësaj bote, ai e ka përmbushur misionin e fesë dhe objektivin e saj. Sakaq, lidhur me botën tjetër, çështjen e tij ia lëmë në dorë të Plotfuqishmit.

Unë jam njeri… Nuk lodhem shumë me vlerësimin e njerëzve bazuar në këndvështrimin e tyre për Zotin në qiell. Kjo është diçka që i përket Zotit dhe kompetencë e Tij. Ajo që më intereson më shumë, është këndvështrimi i tyre për fqinjët në tokë. Nga ky këndvështrim, ata ose do të fitojnë simpatinë dhe solidaritetin tim, ose këshillën e sinqertë, ose armiqësinë time.