
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, Jordania ka përjetuar një rënie të theksuar të numrit të turistëve, veçanërisht në qytetin antik të Petrës dhe destinacione të tjera të njohura, kanë bërë të ditur zyrtarët vendas.
Edhe pse Jordania nuk kufizohet drejtpërdrejt me Gazën, konflikti rajonal ka ndikuar negativisht në sektorin turistik të vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti për Zhvillimin dhe Turizmin e Petrës dhe transmetuara nga televizioni shtetëror Al-Mamlaka, numri i vizitorëve ra me rreth 61 për qind – nga mbi 1.17 milion në vitin 2023, në vetëm 457 mijë në vitin pasues.
Kriza ka detyruar mbylljen e 32 hoteleve dhe ka shkaktuar humbjen e afërsisht 700 vendeve të punës.
Turizmi është një shtyllë kyçe për ekonominë e Jordanisë, duke përfaqësuar rreth 14 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Autoritetet shprehen të shqetësuara për ndikimin afatgjatë të konfliktit në të ardhurat kombëtare dhe punësimin. /mesazhi




