Turkmenistani organizon forum ndërkombëtar për 30-vjetorin e neutralitetit të përhershëm

Turkmenistani po pret sot një forum ndërkombëtar me pjesëmarrjen e liderëve rajonalë dhe botërorë ndërsa shënon 30-vjetorin e statusit të tij si vend me neutralitet të përhershëm, transmeton Anadolu.

Forumi Ndërkombëtar për Paqen dhe Besimin po zhvillohet në kryeqytetin Ashgabat. Ngjarja i është dedikuar Vitit Ndërkombëtar të Paqes dhe Besimit 2025, i cili u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pas miratimit të një rezolute në mars 2024.

Sipas rezolutës, Viti Ndërkombëtar i Paqes dhe Besimit “përbën mjet për mobilizimin e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të promovuar paqen dhe besimin midis kombeve, bazuar ndër të tjera në dialog politik, mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim, me qëllim ndërtimin e paqes së qëndrueshme, solidaritetit dhe harmonisë”.

Rezoluta e kishte përmendur propozimin e Ashgabatit për të pritur forumin si një “ngjarje kulmore” të këtij përkujtimi. Ngjarja mbahet paralelisht me Ditën Ndërkombëtare të Neutralitetit, të cilën Turkmenistani e propozoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe u miratua pa votim në shkurt 2017.

Ndër liderët kyç pjesëmarrës në forum janë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti iranian Masoud Pezeshkian, presidenti kazak Kassym-Jomart Tokayev dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës tha se Kina do të marrë pjesë në forum me pjesëmarrjen e të dërguarit special të presidentit Xi Jinping, Peng Qinghua.

Në vitin 1995, Turkmenistani u bë i vetmi vend në botë që shpalli politikën e neutralitetit të përhershëm, pas miratimit të një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Rezoluta shprehu shpresën se statusi i neutralitetit të përhershëm të Turkmenistanit do të “kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon”, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së ta respektojnë dhe mbështesin këtë status.