Turqia dënoi sot sulmin vetëvrasës që kishte në shënjestër një xhami në kryeqytetin pakistanez Islamabad gjatë faljes javore, duke shprehur solidaritet me Pakistanin në luftën e tij kundër terrorizmit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim të publikuar në platformën sociale turke NSosyal, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë tha se “dënon fuqishëm sulmin terrorist të kryer sot kundër një xhamie gjatë faljes së namazit të xhumasë në Islamabad”.
Në deklaratë u shprehën ngushëllime për familjet e atyre që humbën jetën dhe për popullin e Pakistanit, duke uruar mëshirë për viktimat. Po ashtu u theksua se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet me Pakistanin në përpjekjet e tij kundër terrorizmit.
Sipas autoriteteve pakistaneze, të paktën 31 persona u vranë dhe 169 të tjerë u plagosën kur një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë brenda një xhamie në Islamabad gjatë faljes së namazit të xhumasë. Shpërthimi goditi xhaminë “Imambargah”, një vend adhurimi për myslimanët shiitë, në zonën “Shehzad Town” të Islamabadit.
Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit Shehbaz Sharif, tha se sulmi në Imambargah në Islamabad “është vetëm më i fundit në një seri sulmesh vrasëse terroriste të orkestruara nga India”.
“Terroristët e deleguar të Indisë nuk do ta ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike, as nuk do të përçajnë zemrat e pakistanezëve, e as nuk do ta minojnë kapitalin diplomatik në rritje të Pakistanit”, deklaroi Zaidi në X. Nju Delhi ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga Islamabadi.

