Turqia shënon 62-vjetorin e masakrës së “Krishtlindjeve të Përgjakshme” ndaj turko-qipriotëve

Türkiye të dielën përkujtoi turko-qipriotët që u vranë 62 vjet më parë gjatë masakrës së “Krishtlindjeve të Përgjakshme”, të kryer nga anëtarë të organizatës terroriste greko-qipriote EOKA në vitin 1963.

“Me mëshirë përkujtojmë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona turko-qipriote që humbën jetën në sulmet barbare të greko-qipriotëve, dhe nderojmë me respekt të thellë veteranët tanë,” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke, e shpërndarë në platformën kombëtare të rrjeteve sociale NSosyal.

Deklarata nënvizoi gjithashtu se Türkiye “kurrë nuk do t’i harrojë dëshmorët që sakrifikuan jetën” për çështjen kombëtare në Qipro.

Zëvendëspresidenti Cevdet Yılmaz nderoi gjithashtu viktimat, duke e përshkruar Krishtlindjen e Përgjakshme si “një njollë të zezë të pashlyeshme në histori”.

Në një postim në NSosyal, Yılmaz tha se masakra simbolizonte përpjekjet e EOKA-s për të eliminuar turko-qipriotët dhe për të pushtuar ishullin, por shtoi se kjo përpjekje dështoi “falë rezistencës së vendosur të popullit turko-qipriot, krah për krah me Nënën Türkiye”.

Yılmaz përkujtoi ata që humbën jetën në masakra, si dhe liderin turko-qipriot Fazil Küçük dhe Presidentin themelues Rauf Raif Denktaş, duke theksuar: “Türkiye dhe RTQV (Republika Turke e Qipros së Veriut) do të qëndrojnë gjithmonë krah për krah”.

“Si sot 62 vjet më parë, anëtarët e organizatës terroriste greko-qipriote EOKA kryen masakrën e Krishtlindjeve të Përgjakshme, duke shënuar fillimin e sulmeve brutale ndaj popullit turko-qipriot,” thuhet në deklaratë.

“Fashistët e EOKA-s dështuan të arrinin objektivat e tyre të liga falë mbështetjes së palëkundur të Nënës dhe Garantueses Türkiye, si dhe luftës së guximshme të turko-qipriotëve, veçanërisht anëtarëve heroikë të Organizatës së Rezistencës Turke, të cilët luftuan për liri dhe sovranitet”.

“Krishtlindjet e Përgjakshme”

Përkujtimi shënon 62-vjetorin e masakrës së njohur si “Krishtlindjet e Përgjakshme”, e cila filloi më 21 dhjetor 1963, kur militantët e EOKA-s nisën sulme të koordinuara kundër turko-qipriotëve në të gjithë ishullin.

Grupet e armatosura greko-qipriote të lidhura me EOKA-n synonin të zbatonin Planin Akritas, i cili synonte largimin me forcë të turko-qipriotëve nga struktura bi-komunale e Qipros, e krijuar si partneritet mes të dy komuniteteve.

Në natën e 20-21 dhjetorit 1963, bandat e lidhura me EOKA-n sulmuan në Lefkoşa, duke vrarë dhjetëra turko-qipriotë dhe duke shkaktuar dhunë të gjerë që çoi në shkatërrimin e strukturës së ndarjes së pushtetit në republikë.