Ukraina ka pranuar dronët e saj të parë ushtarakë në kuadër të një projekti të përbashkët prodhimi gjermano-ukrainas, me të dy vendet që u zotuan të forcojnë më tej bashkëpunimin në mbrojtje, transmeton Anadolu.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, morën pjesë në një ceremoni në një objekt prodhimi të paidentifikuar pranë Mynihut, ku u dorëzua seria e parë e dronëve Linza.
“Vetëm disa muaj pasi nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit në mbrojtje, jemi në gjendje të dorëzojmë dronët e parë ukrainas të prodhuar në Gjermani. Këta dronë do t’i dorëzohen drejtpërdrejt forcave të armatosura të Ukrainës”, tha Pistorius.
Zelenskyy, i cili ndodhej në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Mynih, falënderoi qeverinë gjermane për mbështetjen ushtarake dhe u zotua se do të vazhdojë mbështetjen për projektet e bashkëprodhimit në Evropë.
Dronët prodhohen nga ‘Quantum Frontline Industries’, një partneritet midis kompanisë gjermane ‘Quantum Systems’ dhe asaj ukrainase ‘Frontline Robotics’. Pistorius tha se sipërmarrja synon të prodhojë 10 mijë njësi deri në fund të vitit.
“Këta dronë janë të përshtatshëm për misione luftarake, si dhe për zbulim dhe mbështetje logjistike. Ne po e mbështesim Ukrainën në luftën e saj. Por njëkohësisht përfitojmë edhe vetë. Po mësojmë nga sasitë jashtëzakonisht të mëdha të të dhënave dhe nga përvoja e gjerë që po grumbullohet në fushëbetejën në Ukrainë”, tha ministri gjerman.






