Unë, një ditë isha në xhennet

Unë besoj se xhenneti i Ademit a.s. përveç që ishte një vend, ishte edhe një kohë.
Ishte një kohë e afërsisë me Zotin e Plotfuqishëm, dhe ky është thelbi i  xhennetit (parajsës)…

Më jep një xhennet me lumenj vere, qumështi apo mjalti, më jep të gjitha kënaqësitë fizike-epshore, më jep lumturinë e ushqimit, pijeve, dhe më thuaj që Zoti është i zemëruar me ty, parajsa do të kthehet në ferr, qumështi do të bëhet helm, mjalti kthehet në shushunjë, vera do të bëhet zjarr, dashuria e hyrijave do të kthehet në tradhti!
Prandaj, e pranoj se xhenneti nuk ishte dhe nuk është veç një vend, por një kohë e afrimit me Zotin, e kjo është e vërteta e xhenetit …
Xhenneti është koha e mahnisë dhe pafajësisë, është një kohë e dashurisë së bukur që nuk duron ndryshimet dhe  tradhëtitë e të dashurve… Nuk ka diell në të, as ulërimë, as nxehtë e as të ftohtë.  Një pranverë e përhershme e kënaqësisë hyjnore.
Ademi ishte afër Zotit të Plotfuqishëm, por edhe unë isha afër Zotit të Plotfuqishëm,  u mbusha plot shkëlqim e lumturi në atë kohë të largët, megjithëse isha një atom në shpinën e Ademit a.s..
Pavarësisht vdekjes dhe mungesës së pranisë sime fizike në atë kohë, brendësia dhe imagjinata ime vazhdojnë të krijojnë në shkëlqimin e xhennetit një ëndërr të përjetësisë, këtë ëndërr e bartë çdo   person, siç e barti edhe  Ademi a.s.
Nëpër vrimat e kësaj ëndrre, erdhi një ditë  djalli te babai ynë i parë Ademi, duke e joshur atë, i tha: „A dëshiron të të udhëheq deri te pema dhe pasuria(pushteti) e përjetësisë“.
E, këtu gjithçka u kthye mbi kokën e Ademit a.s., e harroi paralajmërimin e Krijuesit për pemën dhe ai filloi të afrohej me mendimin e tij. Unë nuk e mohoj se u gëzova, e dija që Ademi ishte në rrugën e tij për të mëkatuar, por ky mëkat do të ishte një arsye për lindjen time.
Të gjitha mrekullitë e jetës njerëzore i detyrohen ekzistencës së këtij momenti të harresës së Ademit, një gjë që Allahu xh.sh. e dinte paraprakisht se do të ndodhë.

Hoxhë Halil Avdulli