UNICEF: Në Gaza ka nevojë për armëpushim dhe korridor humanitar për sigurinë e fëmijëve

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se për sigurinë e fëmijëve në Gaza ka nevojë për armëpushim dhe korridor humanitar, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, në konferencën javore për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë bëri vlerësime lidhur me konfliktin Izraeli-Palestinë.

“Në Gaza ka nevojë për armëpushim dhe korridor humanitar për sigurinë e fëmijëve”, tha Elder.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të ashpër dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj ofensivës ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimensional, përfshirë lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim që nga viti 2007.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 1.537 palestinezë, mes të cilëve 500 fëmijë dhe 276 gra, humbën jetën dhe 6.612 të tjerë u plagosën në Gaza gjatë sulmeve izraelite.