Urtësia e Zekatu el-Fitrit

Dr. Rijad Imeri

Fjala Zekat në gjuhën arabe e ka kuptimin Rritje. Kjo rritje mund të jetë reale gjersa besimtari e heton rritjen e pasurisë së tij dhe shumimin e saj ose Allahu e bekon pasurin e këtij besimtari dhe ai është i lumtur me atë çfarë i ka dhuruar Allahu dhe i mjafton ajo.

Thotë i dërguari i Allahut- paqja qoftë mbi të- ” Pajtohu me atë çka të ka caktuar Allahu ty, do të jesh më i pasuri i njerëzve” (transmeton Tirmidhiu) , siç mund të kuptohet rritja e fondit dhe e vlerës së besimtarit tek Allahu fuqiplotë, thotë Allahu në Kur’anin fisnik: “Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zeqatin, e çfarëdo të mirë që e përgatitni për veten tuaj, atë e gjeni tek All-llahu. S’ka dyshim se All-llahu përcjell çdo veprim tuajin” (el-Bekareh 110).

Por, Zekat vije edhe në kuptimin Pastrim. Dhe ky pastrim ose është pastrim i pasurisë së besimtarit, pasi që njeriu gjatë grumbullimit të pasurisë – me qellim ose pa të – mund të bie në harame nga mos kujdesi i tij, ose pastrim i vet besimtarit dhe i zemrës së tij nga koprracia dhe nga vetit e këqija, thotë Allahu i madhëruar: “Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (el-Hashr 9), njëkohësisht është edhe pastrim i zemrës së zekatmarrësit nga zilia. Por është edhe pastrim nga mëkatet dhe lëshimet e bëra nga besimtari, thotë Allahu i lavdëruar :” S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.” (Hud 114)

Kurse fjala Fitr e ka kuptimin ngrënie. D.m.th t’i ofrojmë ushqim për ngrënie besimtarëve nevojtar në ditët para festës bajramit. Transmetohet se Pejgamberi – paqja qoftë mbi të – ka thënë : ” Pasuroni (nevojtarët) në këtë ditë (feste)” (transmeton bejhakiu). Por mund të vije fjala Fitr edhe në kuptimin Natyrshmëri. Që na jep të kuptojmë se me këtë solidaritet të cilin besimtari e tregon në këto momente ai i kthehet natyrshmërisë së tij të pastër, siç do ta sqarojmë më vonë.

Zekatu el-Fitri është bërë obligim në vitin e dytë pas hixhretit, po në të njëjtin vit në të cilin Allahu i obligoi besimtarët ta agjërojnë muajin e ramazanit.

Transmetohet se ibn Omeri – Allahu qoftë i kënaqur me ta – ka thënë: ” E obligoi i dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – zekat el-fitrin saa'(1) prej hurmave ose saa’ prej elbi për çdo rob dhe të lirë, mashkull dhe femër, të vogël dhe të rritur prej muslimanëve, dhe urdhëroi që të jepet para daljes së njerëzve për namaz (të bajramit)” (transmeton Buhariu)

Zekatu el-Fitri mund të jepet nga lloji i cekur në hadith, siç mund të jepet edhe me të holla në vlerën e llojit të lartpërmendur në hadith, sepse këto lloj ushqimesh kanë qen më të përdorura në mesin e besimtarëve, kurse sot njerëzit gjitha punët e tyre i kryejnë me të holla, dhe qëllimi i zekat el-fitrit është që të përfitojnë të varfrit, sikurse do të ishte vështirësi për besimtarët që të gjejnë elb apo hurma në vendin tonë.(2)

Si dhe në hadithin të cilin e transmeton ebu davudi se ibn Abasi – Allahu qoftë i kënaqur me ta – ka thënë: ” E obligoi i dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – zekat el-fitrin, pastrim për Agjëruesin nga dokrrat (fjalët e kota) dhe fjalët e ndyra, si dhe ushqim për nevojtarët, kush e jep para namazit (të bajramit) ai është zekat i pranuar, e ai që e jep atë pas namazit (të bajramit) ajo është lëmosh prej lëmoshave” (Sunen ebi Davud)

Ndonëse zekat el-fitri na mëson se njeriun vazhdimisht e përcjellin mangësitë si në veprimet e tij ashtu edhe në adhurimet e tij, por mëshira e Allahut ishte se për çdo obligim të cilin ia obligoi njeriut ia bashkëngjiti me të edhe ndonjë vepër plotësuese e cila do ta kompletoj adhurimin e tij nga lëshimet e mundshme dhe e cila do t’ia mundësoj atij ta arrij shpërblimin e plot. Këtë e vërteton edhe fjala e lartpërmendur e ibn Abasit: “pastrim për Agjëruesin nga dokrrat (fjalët e kota) dhe fjalët e ndyra ”

Si dhe fjala e Veki’ ibn el-xherrah: “Zekat el-fitri për muajin ramazan është sikur sexhdeja e harresës për namazin, e plotëson mangësinë e agjërimit sikurse sexhdeja i plotëson mangësitë e namazit”

Shumica e njerëzve mendojnë se qëllimi i agjërimit është që të solidarizohemi me të varfrit, dhe ta kujtojmë skamjen e tyre, dhe ti përjetojmë vuajtjet e tyre, mirëpo edhe pse kjo mund te jetë prej dobive të agjërimit por kurrsesi qëllimi i tij, sepse qëllimi final i agjërimit është që besimtari të ngadhënjej mbi epshet e veta, dhe të mësohet ta kontrolloj veten e tij edhe nëse është nevoja ndaj gjerave pa të cilat nuk vazhdon jeta njerëzore, siç është ushqimi dhe uji, dhe ta kuptoj se njeriu nuk jeton për të ngrënë por han për të jetuar dhe jetën e tij ia përkushton Krijuesit të tij, dhe për hir të Zotit të tij është në gjendje të sakrifikoj dhe të heq dorë nga çdo gjë nëse Ai e urdhëron, qoftë edhe nga gjërat më të ëmbla të kësaj bote. Ashtu siç është në gjendje ta dhuroj edhe pasurin e tij në rrugë të Allahut, sepse e ka bindjen e thellë në zemrën e tij se Allahu është furnizues i të gjitha krijesave. Thotë Allahu i madhëruar: ” Thuaj: “O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”! (Eli Imran 26)

Andaj nuk është çudi që zekat el-fitri të vije si obligim në fund të këtij muaji por është një urtësi e madhe sepse për ditë të tëra besimtari e edukoj veten e tij ndaj këtyre çështjeve madhore dhe është e lehtë përballja e tij me të. Saqë shumica e sahabëve e nxirrnin zekatin e pasurisë së tyre pikërisht në këtë muaj, sepse besimi ishte shtuar, dhe epshet ishin dobësuar në zemrat e besimtarëve dhe donin që sa më shumë vepra të mira të depozitojnë tek Allahu i cili e shumëfishon shpërblimin dhe është bujar i madh.

Dhe prej madhështisë së kësaj feje është që edhe në kësi raste gëzimi nuk ka lejuar që të festojnë vetëm një pjesë e caktuar e shoqërisë por ky gëzim dhe kjo festë ta kaploj çdo skaj të shoqërisë, prandaj edhe e obligoi zekat el-fitrin. Dhe se kjo fe asnjëherë nuk e ka anashkaluar këtë pjesë të shoqërisë, por ka caktuar në pasurin e të pasurit hise për të varfrin, sepse vetëm kështu mund të ngritët një shoqëri dhe te jetë shoqëri unike, e jo siç ndodh sot që të pasurit e shtojnë pasurin e tyre duke i thithur damarët e shoqërisë, dhe depozitojnë pasurit e tyre nëpër banka të ndryshme të botës, dhe nuk janë në gjendje t’ia shtrijnë dorën vëllait të tyre dhe nuk ndjejnë kurrfarë obligimi ndaj tyre.

Kjo fe na mëson se njeriu nuk jeton për të grumbulluar pasuri, por grumbullon pasuri për të jetuar dhe këtë pasuri e shpenzon aty ku është i kënaqur Krijuesi i tij.

Kështu i përshkruan Kur’ani këta besimtar:”Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër.

Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim.

Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë.

Po All-llahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh.”(el-insan 8-11)

Këto ajete gjenden në suren el- Insan (Njeriu) që na jep të kuptojmë se solidariteti është thellë i ngulitur në natyrshmërinë dhe ndërgjegjen njerëzore. Por e humbën këtë ndërgjegjeje ai i cili e ka humbur besimin e tij dhe nuk mendon më larg se sa për barkun e tij.

Dhënia e zekat el-fitr para namazit të bajramit na aludon në një gjë tepër interesante, e ajo është se në dit feste secili ka dëshirë të zbukurohet me veshjen e tij dhe të familjes së tij dhe të parapërgatitet për festë, kështu që të gjithë nisen për në xhami ditën e bajramit të lumtur dhe duke e madhëruar Allahun, dhe për këtë nëse e vonojmë zekat el-fitrin atëherë e kemi humbur këtë atmosferë festive te nevojtarët dhe për këtë ajo do të konsiderohej si lëmosh e zakonshme ashtu si erdhi në transmetimin e ibn Abasit – Allahu qoftë i kënaqur me të -.

Andaj ky sistem na tregon se kjo fe nuk është fe e individëve të caktuar por është fe e shoqërisë njerëzore dhe për këtë është fe universale, dhe ky është i vetmi sistem i cili ka arrit ta zhduk varfrin në mesin e shoqërisë atëherë kur është zbatuar plotësisht dhe është i gatshëm që në çdo vend dhe në çdo kohë ti zgjedh problemet e shoqërisë njerëzore nëse ai zbatohet, sepse është sistem hyjnor për shoqërinë njerëzore dhe për lumturin e saj në këtë botë dhe në ahiret.

(1)- Saa’ – njësi matëse në kohën e të dërguarit të Allahut – paqja qoftë mbi të – e cila peshon 2.146 gr. Shiko Fikhu ez-Zekat dr. Jusuf el-Kardavi
(2)- shiko më gjerësisht Fikhu ez-Zekat dr. Jusuf el-Kardavi

Dr. Rijad Imeri