Ushqimet që mund ta nxitin migrenën dhe llojet tjera të kokëdhimbjes

Sulmet e migrenës mund të jenë shumë të pakëndshme dhe dhimbja mund të zgjasë me orë të tëra. Por, ajo që dihet më pak është se migrena dhe llojet e tjera të kokëdhimbjeve mund të nxiten nga disa ushqime. Sigurisht, këto ushqime nuk do të shkaktojnë probleme për çdo person.

Ka shumë shkaktarë që mund të nxitin dhimbjen e kokës dhe këtu mund të përfshihen ndryshimet mjedisore, duhani, çekuilibri hormonal, stresi, drita ose ndryshime në shprehitë e gjumit.

Sipas Every Day Health, nëse keni dhimbje koke pas ngrënies, ato mund të nxiten të paktën pjesërisht nga disa ushqime ose pije.

Çokollata

Shumë njerëz shpesh kanë dhimbje koke menjëherë pasi hanë çokollatë, duke çuar në besimin se çokollata nxit kokëdhimbjen. Megjithatë, mund të mos jetë kështu.

Gjegjësisht, shumë njerëz që vuajnë nga migrena kanë një oreks të shtuar dhe dëshirë për ushqim pikërisht përpara se të fillojë dhimbja e kokës. E thënë më mirë, ngrënia e një çokollate mund të jetë rezultat i një migrene të afërt, jo shkaku.

Kafeja

Pak kafeinë mund të ndihmojë në largimin e dhimbjeve të kokës, por shumë kafeinë mund t’ju bëjë më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve të kokës. Hulumtimet tregojnë se ata që vuajnë nga migrena duhet ta kufizojnë marrjen ditore të kafeinës në 200 miligramë dhe të konsumojnë të njëjtën sasi kafeine në të njëjtën kohë çdo ditë për të kufizuar rrezikun e dhimbjeve të kokës.

Produktet e mishit

Edhe pse nuk ka shumë studime që tregojnë se mishi i përpunuar mund të shkaktojë dhimbje koke, dyshohet se nitratet e përdorura si konservues mund t’i zgjerojnë enët e gjakut duke shkaktuar dhimbje koke te disa njerëz.

Ushqimet që përmbajnë MSG

Glutamati i monosodiumit (MSG), i cili gjendet në salcën e sojës dhe përdoret si shtesë në produkte të tjera, është një nxitës i shpeshtë i dhimbjes së kokës që mund të shkaktojë gjithashtu edhe probleme të tretjes.

Ky përbërës gjendet natyrshëm në përbërës të tillë, si proteina vegjetale e hidrolizuar, maja e autolizuar, maja e hidrolizuar, ekstrakti i majave, ekstraktet e sojës dhe izolimi i proteinave, si dhe në domate dhe djathëra.

Produktet e ftohta

Disa njerëz mund të ndjejnë dhimbje koke pasi kanë ngrënë akullore. Por, shkaku i vërtetë është në fakt një reagim ndaj të ftohtit. Mjekët deklarojnë se dhimbja zhduket më shpejt, por në çdo rast pijet e ftohta dhe produktet e ngrira këshillohet t’i hani më ngadalë.