Ushtria iraniane e gatshme për shtypjen e protestave antiqeveritare

Ushtria iraniane është e gatshme për shtypjen e protestave antiqeveritare. Kështu njoftojnë mediat shtetërore të vendit që i referohen komandantit të përgjithshëm të këtyre trupave.

Ndërkohë mbajtësja e çmimit Nobel për Paqen avokatja Shirin Ebadi u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj që të vazhdojnë të demonstrojnë. Shirin Ebadi u bëri në një deklaratë për të përditshmen arabe “Asharq al-Awsat”, thirrje iranianëve “të qëndrojnë në rrugë”, sepse demonstrata është një e drejtë që ua jep atyre kushtetuta e Iranit.

Në deklaratën për gazetën arabe Asharq al-Awsat, që botohet në Londër, avokatja për të drejtat e njeriut Shirin Ebadi, theksoi edhe që duhet të mënjanohet dhuna.

“Për t’i bërë presion qeverisë iranianët nuk duhet të paguajnë faturat e ujit dhe të dritave, të mos paguajnë taksat dhe të tërheqin paratë nga bankat shtetërore”, tha Ebadi, e cila vetë jeton në mërgim në Britaninë e Madhe.

Protestat kundër qeverisë në Teheran janë më seriozet që nga viti 2009. Ato u ndezën për shkak të pakënaqësisë me gjendjen e keqe ekonomike. Deri tani kanë vdekur 21 vetë dhe janë arrestuar qindra  të tjerë. Në tri krahina të vendit janë dërguar njësi të Gardës Revolucionare për të ndalur përhapjen e trazirave./DW