Ushtria izraelite bastisi sot qytetin verior Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke nisur një fushatë të gjerë arrestimesh, sipas burimeve lokale.
Dëshmitarë thanë për Anadolu se forca speciale izraelite, të mbështetura nga përforcime ushtarake, sulmuan në agim lagjen lindore të qytetit të Jeninit dhe e shndërruan një shtëpi në postë ushtarake. Disa civilë u ndaluan dhe u mbajtën për marrje në pyetje në terren.
Pas bastisjes, Ministria palestineze e Arsimit pezulloi mësimin në shkollat e Jeninit për të garantuar sigurinë e nxënësve. Në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor, kolonë të paligjshëm izraelitë dogjën dy automjete në pronësi të palestinezëve në Ramallah dhe shkruan slogane raciste në muret e shtëpive, thanë burime lokale për Anadolu.
Ushtria izraelite ka përshkallëzuar sulmet në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023.
Sipas shifrave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.097 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor kanë plagosur afro 11 mijë dhe kanë ndaluar rreth 21 mijë persona që nga tetori 2023.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



