Ushtria izraelite mbyll disa fshatra në Bregun Perëndimor pas të shtënave me armë

Ushtria izraelite ka mbyllur të shtunën disa fshatra palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas raportimeve për të shtëna me armë drejt një posti ushtarak izraelit.

Burime lokale thanë se forcat izraelite bllokuan hyrje-daljet e fshatrave Nilin, Bilin dhe Kharbatha Bani Harith, në perëndim të Ramallahut, duke ndaluar lëvizjen e banorëve. Masat u morën pas të shtënave që kishin në shënjestër një pikë kontrolli izraelite në Nilin.

Sipas burimeve, ushtria izraelite bastisi edhe një shtëpi në fshatin Safa, po ashtu në perëndim të Ramallahut, ku arrestoi një palestinez me akuzën se kishte hapur zjarr ndaj postit ushtarak.

Megjithatë, gazeta izraelite Yedioth Ahronoth raportoi se më vonë u konstatua se të shtënat lidhen me gjueti dhe jo me një sulm.

Sipas të dhënave palestineze, që nga tetori 2023, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.103 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, kanë plagosur rreth 11.000 të tjerë dhe kanë arrestuar afro 21.000 persona.

Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. /mesazhi