Utopia e quajtur “Platforma Izetbegoviq-Gligorov”

Daut DAUTI

A pati Bosnja rrugë më të sigurta dhe më pak të dhembshme sesa pavarësinë e përgjakshme, pas një lufte ku u shpërblye agresioni serb me gjysmën e territorit të shtetit?

Daut DAUTI, Shkup

Si një fenomen sociokulturor, në shumë këngë të viteve ‘80-të, si për rastësi ose për aftësi profecie, ose tejimagjinate krijuese, ishin kënduar shumë vargje këngësh që i frynin erës së barotit: “Do të ketë luftë, thonë të gjithë/po ne do të vdesim nga dashuria”, këndonte kroati Boris Novkoviq, “vetëm luftë të mos ketë/të ketë paqe midis njerëzve”, këndonte “sharmeri panonik”, Gjorgje Ballasheviq (ai i cili në një nga këngët e tij u drejtohej shqiptarëve “mos m’i theni bagremat”), “nëse nis lufta, çka do të bëjmë unë e ti?”, këndonte boshnjaku Alen Islamoviq me grupin e tij sarajevas, “Bjello Dugme”. Një liri e imagjinatë krijuese apo në ato vite vërtet paralajmërohej më e keqja për Jugosllavinë?

Ndoshta gjithë kjo ishte një frymëzim nga atmosfera e nacionalizimit dhe shovinizmit serb pas shfaqjes së “fenomenit Millosheviq” që mori krahë pas tubimit me serbët e Kosovës, që “ndiheshin” të rrezikuar dhe nën “presion” nga shqiptarët dhe nga vetë udhëheqësia kosovare, kur u premtoi se “nuk do t’ju rrahë më askush!” (siç është treguar më vonë, askush, përveç tij!). Kryetari i sapozgjedhur i komunistëve serbë u katapultua si një idol i ri, një mesie që do t’i “shpëtojë” serbët gjithandej, për çka u bë frymëzim edhe për krijues (poeti kosovar R. Zllatanoviq i pari i kushtoi poezi, e nuk mbetën prapa as të tjerë). Kjo ndodhi as një dekadë pas vdekjes së Titos, i cili me hatër ose pa të, ishte figurë unifikuese e Jugosllavisë, i cili, sa ishte gjallë, i amortizoi të gjitha tendencat e shthurjes së Jugosllavisë.

Ndërkaq Millosheviqi u shfaq në një mision tjetër, atë të “korrigjimit” të pozitës së serbëve në federatë, deshi të imponojë parime të tjera të funksionimit, shkoi rrugës së kundërt të Titos, për të vendosur hegjemoninë serbe me “një njeri, një votë” në organet e federatës, për të rrënuar vendosjen me veto që e kishin republikat dhe krahinat. Hapin e parë Millosheviqi e kishte bërë me Kosovën dhe Vojvodinën, duke ua hequr prerogativat shtetërore që i kishin me kushtetutën e vitit 1974.

Përgjigja që mori shumë shpejt ishte shpërbërja e forcës së vetme politike, LKJ-së, e cila ishte uvertyrë për skenarin e përgjakshëm, për të cilin Millosheviqi nuk ngurroi ta vë në veprim.

Kështu këngët që i këndonin luftës u bënë realitet!

Përpjekja utopike për ta shpëtuar Jugollavinë

Dy prologë ishin përpjekja për ta ruajtur Jugosllavinë: ideja e udhëheqësisë sllovene dhe asaj kroate, që federata me lidhje të forta të shndërrohej në bashkësi shtetesh (konfederatë), pra të decentralizohej, gjë që nuk hasi në përkrahje të Millosheviqit dhe i dyti, po e njëjta gjë, e konkretizuar nga faktorët “asnjanës”, ata që kishin realisht më pak ndikim, Alija Izetbegoviq dhe Kiro Gligorov. “Shkatërruesit” (Sllovenia e Kroacia), në njërën anë, “mbrojtësi” i shtetit të përbashkët (Serbia) në anën tjetër, ndërkaq Alija Izetbegoviqi dhe Kiro Gligorovi, dy kryetarë të sapozgjedhur të republikave të tyre, në fillim të ‘90-tave, dolën me një plan konkret, “të mesëm” mbase, për të evituar tendencat dhe skenarët ekstremë.

Si gazetar i “Flakës”, që i përcillja ngjarjet e asaj kohe, rikujtoj “diplomacinë shëtitëse” të kryetarëve të republikave, të cilët herë takoheshin në Split, herë në Cetinje, herë në Kranj ose Podgoricë e gjetkë, për të gjetur ndonjë kompromis për pozitat e papajtueshme të aktorëve kryesorë. Në njërin prej tyre, ai që u mbajt në ish “vilën e Titos” pranë Liqenit të Ohrit (“Biljana”), për herë të parë për së afërmi, në një konferencë për shtyp, pata rastin t’i shoh gjithë ato fytyra të mërdhezura, sidomos të Millosheviqit dhe Tugjmanit, prej nga, si edhe në rastet e kaluara, nuk kishte zgjidhje. Në fytyrën e Millosheviqit shihej arroganca e të fortit, në atë të Tugjmanit zymtësia e një pushtetari që ka diçka të errët në personalitetin e tij, te Kuçani kotësia dhe në sytë e Izetbegoviqit dhe Gligovorit shpresa që vdes e fundit!

Qeveria e Ante Markoviqit, që inauguroi ekonominë e tregut dhe stabilizoi inflacionin dhe i dha krahë ekonomisë së tregut, inauguroi edhe pluralizmin politik dhe në vitin 1990, por nuk mundi t’i ndalë tendencat pas Kongresit të 14-të të LKJ-së (janar 1990). Kah fundi i vitit 1990-të, ekspertë juridikë nga Sllovenia dhe Kroacia hartuan një propozim për riorganizimin e Federatës në një Konfederatë, ku republikat do të kishin të drejtë të bëjnë marrëveshje ndërkombëtare, me çka sovraniteti i Jugosllavisë do të ishte i kufizuar. Por, ashtu siç pritej, kjo nuk i pëlqente Millosheviqit, i cili nuk dëshironte “konfederatë të shlirë”, po “federatë të fortë”.

Pikërisht midis këtyre pozitave të kundërta do të shfaqet propozimi utopik i presidentit boshnjak, Alija Izetbegoviq, dhe atij të Maqedonisë, Kiro Gligorov, që në maj të vitit 1991 ua kishin prezantuar 12 anëtarëve të një misioni europian. Me këtë plan parashihej një “federatë asimetrike që do të funksiononte në parimin 2+2+2 ku Serbia dhe Mali i Zi do të ishin qendra e Federatës, kurse Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia, do të ishin gjysmë të pavarura, ndërkaq Sllovenisë dhe Kroacisë u lihej që të zgjidhnin modusin dhe “sasinë” e pavarësisë. Në shikim të parë, ky plan do të duhej t’i plotësonte kërkesat e veçanta të secilës republikë, por kur gjërat ishin nisur në një drejtim tjetër, këtë plan askush nuk e mori seriozisht! Sepse, në Serbi ai u refuzua si plan antiserb, kurse sllovenët dhe kroatët shihnin tjetërkah.

Se si ka ardhur gjer te ky plan, Gligorovi e ka shpjeguar më vonë në intervistat e tij. Në një nga këto intervista, dhënë në vitin 2006, ai kishte deklaruar: “…Unë dhe Alija Izetbegoviqi kemi bashkëpunuar shumë në ato takime të Kryesisë së RSFJ-së. Duhet ta dini se qëndrimet tona ishin të ngjashme. As ne dhe as boshnjakët nuk ishim të orientuar ta prishnim këtë (shtet) me çdo kusht. Megjithatë, ne ishim të gatshëm ta mbështesnim zgjidhjen e Millosheviqit – një federatë të fortë dhe moderne, siç e quante ai atë koncept. Në fakt, Zagrebi dhe Lubjana nuk propozuan që ndarja të ndodhte menjëherë. Kjo do të ndodhte më vonë, kur të gjitha marrëveshjet të kishin dështuar. Kjo marrëveshje, që e ofruam unë dhe Izetbegoviqi ishte, në fakt, rezultat i një bisede që e pata me Alinë – që ne duhet të bënim diçka, sepse nuk jemi palë në konflikt. Izetbegoviqi më tha, hajde, të lutem, nëse do të skicosh diçka, bëje. E mora shumë seriozisht. Situata po përkeqësohej dita-ditës. Shkrova diçka, mendoj se ende e kam atë draft të parë në arkivin tim personal, dhe ia dërgova atij. I thashë se nëse kishte ndonjë koment, shtesë, ose donte të bënte ndonjë ndryshim sipas dëshirave të tij, do t’i respektoja. Ai kishte relativisht pak kundërshtime, shumë minimale. Dhe, pastaj vendosëm që në seancën e parë pasuese të presidentëve, e cila do të mbahej në Sarajevë, do t’ua dërgonim atë propozim të gjithëve paraprakisht dhe do t’u kërkonim mendimet e tyre. Kjo është ajo që u bë. Menduam se do të ishte një rast për një diskutim dhe bisedë më të qetë dhe më të ekuilibruar, me qëllim arritjen e një rezultati.”

Këtë propozim, sipas kujtimeve të Gligorovit, në takimin e presidentëve në Sarajevë, e kishte elaboruar vetë Izetbegoviqi, duke veçuar dy gjëra: e para, që çdo republikë që dëshiron të jetë shtet i pavarur mund ta bëjë këtë përmes një referendumi dhe, e dyta, nëse referendumi është pozitiv, mund të kërkojë anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Në fund Izetbegoviqi kishte thënë: “Dëgjoni, ne po e bëjmë këtë nga qëllime të mira në mënyrë që të mos ketë luftë. Tre popujt tanë, serbët, kroatët dhe myslimanët, jetuan së bashku për kaq shumë vite. Nëse fillon lufta, do të ketë gjak deri në gjunjë.”

Lufta? Pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse presidenti boshnjak dhe ai i Maqedonisë e kishin propozuar planin e tyre. Në një intervistë tjetër, atë për Europën e Lirë të vitit 2008, Gligorovi e ka shpjeguar kështu: “Isha ithtar i gjetjes së një forme konfederate ose diçkaje të ngjashme, në mënyrë që të mos shkatërrohej gjithçka që ishte ndërtuar së bashku për kaq shumë vite. Dhe, nuk doja të thosha se duhej mbështetur, sepse Maqedonia nuk mund të mbijetonte më vete si shtet, por për arsyen se nuk duhej shpërbërë, se gjithçka në të cilën ishte investuar për kaq shumë vite nuk duhej shkatërruar dhe pastaj të gjithë së bashku të krijonim probleme, konflikte, përplasje të reja… Kur fillon të rrjedhë gjak, atëherë të gjitha argumentet e tjera janë të dobëta.”

Përderisa në tavolinë ishte vënë ky propozim, të cilin askush nuk e kishte marrë seriozisht, gjërat kishin shkuar larg për Bosnjën dhe Alija Izetbegoviqin, sepse dy muaj më parë (mars 1991), fshehurazi, në Karagjorgjevë, Tugjmani dhe Millosheviqi ishin pajtuar për ta ndarë Bosnjën! Është shkruar shumë për këtë plan, shpesh dhe është mohuar, por një nga aktorët e asaj kohe, prapë i kthehemi Gligorovit, thotë se nuk ka ditur për një plan të tillë, por në atë intervistë për Europën e Lirë tregon se si me një rast vetë Tugjmani i kishte treguar një hartë për ndarjen e Bosnjes midis serbëve dhe kroatëve dhe ajo pjesë që do të mbetej, “boshnjakët le të bëjnë ç’të duan!”.

Në takimin e fundit, atë në Sarajevë, ishin qartësuar pak a shumë pozicionet antagoniste të cilat nuk lenin vend për plane utopike. Tugjmani kishte thënë se nuk mund të hiqte dorë nga ripërtrirja e shtetit kroat pas një mijë vjetësh, pas mbretërve kroatë, ide kjo që është rrënjosur thellë në Kroaci dhe se nuk mund të shihte asgjë tjetër, pos shtetit të pavarur kroat. Millosheviqi e kishte përsëritur qëndrimin serb për Jugosllavinë vetëm si federatë moderne dhe të fortë. Në këtë pozicion ishin edhe malazezët, ndërkaq Kuçani kishte thënë se nuk ishte i autorizuar të fliste për propozime të tilla që ndikojnë në të ardhmen e Sllovenisë dhe të gjitha republikave të tjera, por se ai personalisht mendonte se propozimi ishte në thelb i mirë. Me kaq kishte vdekur plani ambicioz për ta evituar shpërbërjen e përgjakshme.

Izetbegoviqi, si Zelenski, e nënçmoi situatën

Është jomirënohëse të bëhen krahasime midis dy figurave në epoka të ndryshme, por kur t’i shikosh kontekstet dhe lëvizjen e gjërave, në masë të madhe, lideri i Ukrainës, Volodimir Zelenski, i ngjan shumë Alija Izetbegoviqit ose, edhe më saktë, veprimtaria e tyre shtetërore sjell rezultat të ngjashëm si me Bosnjen, si me Ukrainës. Në ç’kontekst?

Është kjo pozita e “peshkut të vogël” kundrejt jo peshkut të madh, por kundrejt peshkaqenit, gjë që pozita manovruese për shpëtim kërkon shumë shkathtësi dhe, në këtë kontekst, edhe vizion. Nga këndvështrimi i tashëm, 35 vjet më vonë, me gjithë respektin ndaj luftës për shtetësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ruajtjen e tërësisë së saj territoriale (në këtë kontekst edhe përpjekjeve shtetarë sot të Zelenskit), nuk mund të mos shtrohet pyetja se a ka pasur rrugë tjetër që nuk do të përshkohej me tragjedi të mëdha njerëzore?

Është ironike se “Platforma Izetbegoviq-Gligorov” mëtoi ta evitojë shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë që shihej në horizont, përmes një reformimi të federatës jugosllave sipas aspiratave të secilës republikë (për krahinat nuk bëhej fjalë fare), ku do ta zinte vendin e vet edhe republika e tij, porse a i kishte ka analizuar vetë Izetbegoviqi mundësitë tjera për vetë Bosnjën? Gligorovi, kur kthehet te ato vite, thotë se qëndrimet e tij dhe të Izetbegoviqit edhe nuk ishin larg konceptit serb për një federatë të fortë, andaj mbetet dilema nëse edhe pas shpërbërjes a ka pasur mundësi që të gjejë zgjidhje në kuadër të asaj që mbeti pas luftërave, pjesë e Jugosllavisë së cunguar, por normalisht, pa luftë? A duhej doemos republika e tij ta shfrytëzojë të drejtën e shkëputjes që ia jepte kushtetuta dhe të bëhej shtet i pavarur apo mund të modifikohej sipas rrethanave të reja, duke pasur parasysh se kishte tre popuj që ishin konstituivë dhe se duhej një model i ri bashkëjetese? A mund të gjenin kompromis pavarësia, në njërën anë, që ishte synim i Izetbegoviqit, dhe në anën tjetër tendencat e serbëve dhe kroatëve për riformatimin e marrëdhënieve? A u bë sa duhet evitimi i një skenari përjashtues? Sipas Marrëveshjes së fshehtë të Karagjorgjevës midis Tugjmanit dhe Millosheviqit, mund të themi se s’ka pasur asnjë hapësirë manovrimi për boshnjakët, pasi tashmë Bosnjës “ia kishin marrë masën”. Ndërkaq, në atë që zhvillohej publikisht, para se të plaste lufta, debatet kanë qenë rreth konceptit serb të reformimit të brendshëm (federalizimit/konfederalizmit) dhe atij boshnjak, që pas shpërbërjes së Jugosllavisë, me ikjen e Kroacisë dhe Sllovenisë, edhe Bosnja të jetë shtet i pavarur.

Nëse e marrim regjistrimin e vitit 1981, BeH ka pasur 4.124.256 banorë, prej të cilëve myslimanë ishin 1.630.033 (39,52 për qind), serbë 1320.738 (32.02%), kroatë 758.140 (18.38), jugosllovenë 326.316 (7.91%) etj., mund të nxirret konkluzioni se nga një ndarje e brendshme, pa gjak, e Bosnjës, prapë me një qeverisje të përbashkët të organeve të federatës, secila bashkësi do të merrte territor përafërsisht sipas pjesëmarrjes së saj në regjistrim. Kjo do të ishte një ndarje shumë më e drejtë sesa pas luftës për territore dhe spastrim etnik që e bënë serbët dhe kroatët ndaj boshnjakëve, që rezultoi me një ndarje të padrejtë, ku serbëve iu pranuan territoret e pushtuara dhe, me Marrëveshjen e Dejtonit, fituan 49 për qind, ndërkaq Federata Kroato-Boshnjake 51 për qind. Është paradoksale të konstatohet kjo, por jo vetëm që pas një lufte katërvjeçare prapë u bë ndarja jofederale, por konfederale, por ndërroi edhe raporti territorial në dëm të boshnjakëve dhe u krijua një model jofunskional që vazhdimisht shkakton kriza, edhe tri dekada pas luftës së përgjakshme.

Mungesa e vizionit ose mungesa e sensit për realitet, shpesh edhe qëllimet e mëdha atdhetare i shndërron në gërmadhë ëndrre të parealizuar. Pasi bëmë analogjinë me Zelenskin, është e njëjta gjë: në fillim të luftës po të arrihej ndonjë plan paqeje, çfarë dhe pati, do të kishte shumë më pak humbje territoresh për Ukrainën sesa tash, kur Rusia ka pushtuar sa një Itali të tërë! Për të mos shkuar edhe më mbrapa, kur disa lëvizje politike (“revolucioni i portokalltë”) që kishte një përrallë të bukur për Ukrainë në BE dhe NATO, nisi pa sensin e realitetit se në Ukrainë jetojnë rreth 18 për qind rusë dhe se Ukraina është afër Rusisë, për të luajtur aq në mënyrë joserioze me ardhmërinë e vendit, pasi dihej se Rusia nuk do ta donte NATO-n në kufirin e saj. /revistashenja