Valencia mposhtë Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit

Pas dështimit në ‘Anfield Road’ ndaj Liverpool, Barcelona ka dështuar edhe në Sevilla, në përballjen finale të Kupës së Mbretit, kundër Valencias.

Skuadra katalane është mposhtur me rezultatin 1:2, duke bërë që pozita e Ernesto Valverde të dridhet seriozisht.

Valencia zhbllokoi rezultatin qysh në minutën e 21’ të takimit, duke shënuar me anë të Kevin Gameiro, shkruan lajmi.net.

Ata nuk u ndalën me kaq, dhe qysh në minutën e 33’ realizuan edhe golin e dytë, me anë të Rodrigo.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, me një Barcelonë të dobët sa se kemi parë më herët.

Pjesa e dytë ishte diçka më e mirë për katalanët, të cilët filluan sulmet e njëpasnjëshme drejt Valencias.

Ishte minuta e 73’ kur Lionel Messi realizoi për 1:2, por goli i argjentinasit ishte i pamjaftueshëm në fund.

Kështu, Barcelona e mbyll sezonin vetëm me një trofe të fituar, atë të La Liga, duke bërë kështu që pozita e Valverdes të jetë në pikëpyetje të madhe.